Forcimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe krijimi i mundësive të reja për gratë në biznes ishin në fokus të Konferencës Rajonale për Gratë Ndërmarrëse dhe Takimeve B2B “SHE RISES”, Edicioni IV, që u zhvillua në Prishtinë. E pranishme në aktivitet, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për zgjerimin e mundësive ekonomike për gratë sipërmarrëse. Në panelin ministror “Ndërmarrësia e Grave në Bashkëpunimin Ekonomik Rajonal”, ku morën pjesë edhe përfaqësues të qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, diskutimet u përqendruan te politikat mbështetëse, teknologjia dhe zhvillimi i partneriteteve mes bizneseve.
Duke prezantuar politikat e Shqipërisë për mbështetjen e grave në sipërmarrje, Ibrahimaj u ndal te skema e financimit të startup-eve, ku gratë dhe vajzat përfitojnë pikë shtesë gjatë vlerësimit të aplikimeve. Sipas saj, vitin e kaluar 42% e fondeve të akorduara për startup-et shkuan për ndërmarrje të drejtuara nga gra dhe vajza, nga rreth 28-30% në vitet e para të zbatimit të skemës.
Ministrja bëri të ditur se gratë dhe vajzat në Shqipëri përbëjnë 62% të pjesëmarrësve në tregun e punës, ndërsa gratë administratore të ndërmarrjeve zënë rreth 31-31,5%. Ky tregues, sipas saj, ka mbetur pothuajse i pandryshuar prej disa vitesh, duke evidentuar nevojën për masa të mëtejshme që nxisin përfshirjen e grave në krijimin dhe drejtimin e bizneseve.
Një tjetër propozim i Ibrahimajt ishte krijimi i një forumi të përbashkët rajonal për gratë sipërmarrëse, me përfaqësuese nga secili vend, i cili do të mblidhej periodikisht për të ndjekur iniciativa konkrete. Synimi është që brenda një ose dy muajsh të hartohet një plan veprimi për forcimin e lidhjeve mes bizneseve të drejtuara nga gratë në rajon. Sipas ministres, teknologjia dhe inovacioni mund të lehtësojnë shkëmbimin e informacionit, krijimin e kontakteve të reja dhe zgjerimin e marrëdhënieve tregtare, duke u dhënë grave mundësi të zhvillojnë aktivitetin e tyre edhe jashtë qendrave kryesore ekonomike. Konferenca “SHE RISES”, e organizuar nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës, synon të krijojë ura bashkëpunimi mes grave sipërmarrëse të rajonit përmes shkëmbimit të përvojave, takimeve B2B dhe zhvillimit të partneriteteve të reja të biznesit.








