Pronarët që mbajnë apartamente të pashfrytëzuara në Tiranë dhe ata që zotërojnë vila pranë vijës bregdetare pritet të përballen me taksim më të lartë, në kuadër të ndryshimeve që parashikon Paketa Fiskale 2027. Nisma, e bërë publike nga Kryeministri Edi Rama, synon të dekurajojë mbajtjen e apartamenteve bosh në kryeqytet dhe të nxisë pronarët t’i hedhin ato në treg, përmes shitjes ose dhënies me qira.
Sipas kësaj politike, apartamentet e pashfrytëzuara në Tiranë do të jenë objekt i një takse më të lartë, me synimin për të nxitur përdorimin e tyre dhe për të rritur ofertën në tregun e pasurive të paluajtshme. Një rritje e ofertës mund të ndikojë edhe në ecurinë e çmimeve, megjithatë efekti do të varet nga mënyra se si do të zbatohet skema.
Në fokus të taksimit të ri do të jenë edhe vilat në bregdet, të vendosura në një distancë deri në 300 metra nga vija bregdetare, për të cilat parashikohet një nivel më i lartë takse. Ndërkohë, drafti i ri për taksimin e pasurive të paluajtshme do të ruajë parimin e diferencimit të detyrimit sipas kategorisë së pronës. Për banesën e parë parashikohet një ulje prej 50% e taksës.
Për të konkretizuar këto ndryshime, qeveria pritet të rishikojë draftligjin për taksimin e pasurive të paluajtshme, versioni i ri i të cilit synohet të hidhet për konsultim publik brenda këtij viti. Detajet mbi nivelin e taksës, kriteret që do të përcaktojnë një apartament si të pashfrytëzuar dhe mënyrën e llogaritjes së detyrimit për vilat në bregdet mbeten ende për t’u përcaktuar. Ndryshimet pritet të konkretizohen gjatë procesit të rishikimit të projektligjit.







