Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare dhe Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës (G7) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi, me synim forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë, Kosovës, rajonit dhe diasporës shqiptare.
Memorandumi u nënshkrua në Prishtinë nga kryetarja e G7, Afërdita Kelmendi, dhe nënkryetarja e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Silva Mecaj. Marrëveshja synon të krijojë mundësi të reja për gratë sipërmarrëse, të nxisë partneritete mes bizneseve dhe të lehtësojë aksesin në tregjet ndërkombëtare. Një tjetër objektiv është promovimi i investimeve dhe zhvillimi i iniciativave të përbashkëta ekonomike.
Përmes këtij partneriteti, palët synojnë të forcojnë rrjetëzimin e sipërmarrësve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, duke shfrytëzuar potencialin e diasporës për krijimin e mundësive konkrete të zhvillimit ekonomik. Bashkëpunimi pritet të shërbejë si një platformë për shkëmbimin e përvojave, krijimin e lidhjeve të reja tregtare dhe rritjen e rolit të grave në sipërmarrje dhe në ekonominë rajonale.








