Energjia, ndërtimi dhe ekonomia e gjelbër bashkuan bizneset, institucionet dhe investitorët në edicionin e pestë të Panairit të Energjisë, Ndërtimit dhe Ekonomisë së Gjelbër (ECGE 2026). Përgjatë dy ditëve, aktiviteti mblodhi rreth 80 kompani, mbi 3 mijë vizitorë biznesi dhe 55 ekspertë shqiptarë e ndërkombëtarë, ndërsa diskutimet u zhvilluan në 15 panele mbi sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të këtyre sektorëve. Panairi u zhvillua më 19 dhe 20 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, duke shërbyer si një platformë për prezantimin e zgjidhjeve teknologjike, shkëmbimin e ekspertizës dhe krijimin e partneriteteve të reja mes aktorëve të tregut. Në qendër të diskutimeve ishin transformimi i tregut energjetik, investimet në teknologji dhe infrastrukturë, eficienca energjetike, standardet, financimi dhe nevoja për zhvillimin e kompetencave të reja profesionale.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua sektorit të energjisë, ku diskutimet u përqendruan jo vetëm te rritja e kapaciteteve prodhuese nga burimet e rinovueshme, por edhe te depozitimi i energjisë, potenciali i hidrogjenit dhe fleksibiliteti i sistemit energjetik. Gjatë aktivitetit, Gledis Kalemi, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit të Industrisë dhe Energjisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të potencialit energjetik të Shqipërisë, duke e harmonizuar atë me mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimet e reja teknologjike. Në diskutime u evidentua gjithashtu nevoja për përshtatjen e kuadrit ligjor dhe rregullator me zhvillimet e tregut, veçanërisht për depozitimin e energjisë, konsumatorët aktivë dhe infrastrukturën e karikimit të automjeteve elektrike. Ndërkohë, prezantimet e kompanive ESAVING dhe VEGA Group sollën në vëmendje rolin e investimeve dhe inovacionit në zhvillimin e sektorit. Teknologjia dhe eficienca ishin një tjetër shtyllë e rëndësishme e panairit. Si Partner Platin, Vodafone Business prezantoi përmes demonstrimeve praktike zgjidhje inteligjente për menaxhimin e energjisë, flotës së automjeteve dhe operacioneve në terren. Aplikimet Collaborative Worker, Smart Vision, Smart Energy dhe Smart Fleet demonstruan mënyrat se si teknologjia mund të ndihmojë bizneset në koordinimin e ekipeve, monitorimin e proceseve dhe optimizimin e konsumit të energjisë.
Në kuadër të Smart Cities & Green Energy Forum, Jonida Lakuriqi, Drejtuese e Çështjeve Ligjore, Politikave Publike dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Vodafone Albania, vuri theksin te potenciali i inteligjencës artificiale për ta bërë dijen më të aksesueshme. Sipas saj, pas revolucionit të komunikimit dhe atij të informacionit, teknologjia po krijon mundësinë që edhe dija të jetë më e arritshme për të gjithë. Ndërsa në sektorin e ndërtimit, diskutimet u përqendruan te cilësia, siguria, standardet dhe përafrimi me kërkesat e Bashkimit Evropian. Forumi i organizuar nga Instituti i Ndërtimit në Shqipëri trajtoi rëndësinë e zbatimit të praktikave të qëndrueshme, si elemente thelbësore për përmirësimin e cilësisë së ndërtimeve dhe rritjen e sigurisë në këtë sektor.
Një tjetër forum, me fokus ndërtimin e destinacioneve dhe infrastrukturës së së ardhmes, solli në vëmendje potencialin e qyteteve dhe territoreve shqiptare, planifikimin dhe investimet e nevojshme për krijimin e destinacioneve konkurruese. Bisedat me Elira Kokonën, Drejtoreshë e Korporatës Shqiptare të Investimeve, dhe Gledian Llatjan, Kryetar i Bashkisë Elbasan, trajtuan mundësitë e zhvillimit territorial dhe rëndësinë e një qasjeje të integruar ndaj investimeve dhe infrastrukturës. Financimi i projekteve ishte gjithashtu pjesë e agjendës së ECGE 2026. Në kushtet kur zhvillimi i energjisë, eficiencës energjetike dhe ndërtesave kërkon kapital dhe investime afatgjata, diskutimet u përqendruan te mekanizmat financiarë, instrumentet mbështetëse dhe bashkëpunimi mes bizneseve, institucioneve financiare dhe aktorëve të tregut. Përtej teknologjisë dhe investimeve, panairi trajtoi edhe ndikimin e tranzicionit të gjelbër në tregun e punës. Forumi mbi kapitalin njerëzor, organizuar nga Anisa Keri – People Pulse, vuri në fokus nevojën për aftësi dhe kompetenca të reja profesionale, përshtatjen e ekipeve dhe zhvillimin e burimeve njerëzore në funksion të ndryshimeve që po përjetojnë sektorët e energjisë dhe ndërtimit.
Edicioni i pestë i ECGE konfirmoi rolin e panairit si një hapësirë ndërveprimi mes biznesit, institucioneve dhe ekspertëve, ku prezantimi i inovacionit ndërthuret me diskutimin mbi sfidat konkrete të tregut dhe mundësitë e investimit. Aktiviteti organizohet nga I-Exhibitions, me synimin për të nxitur bashkëpunimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit të energjisë, ndërtimit dhe ekonomisë së gjelbër në Shqipëri dhe rajon.








