Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja të shitjes së karburanteve në vend. Vendimi hyn në fuqi sot, më 31 tetor, në orën 12:00. Sipas vendimit, nafta do të tregtohet me pakicë me një çmim maksimal prej 212 lekësh për litër, ndërsa benzina nuk do të kalojë 179 lekë për litër.
Edhe për tregtimin me shumicë janë përcaktuar kufijtë maksimalë të çmimeve. Nafta do të shitet me jo më shumë se 200 lekë për litër, ndërsa benzina me 167 lekë për litër. Çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, ku do të shqyrtohet mundësia e rishikimit të tyre në varësi të zhvillimeve në treg.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e karburanteve se mosrespektimi i çmimeve të përcaktuara mund të sjellë pezullimin e aktivitetit. Vendimi synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.








