Qeveria ka miratuar kriteret dhe masën e kompensimit financiar për bizneset private, organizatat jofitimprurëse dhe të vetëpunësuarit, në rastet kur aktivizohen në shërbimin ushtarak rezervist. Vendimi nr. 818, datë 28 tetor 2026, përcakton se kompensimi do të mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas vendimit, përfitues do të jenë bizneset dhe organizatat jofitimprurëse që kanë punonjës të aktivizuar si ushtarakë rezervistë, si dhe personat e vetëpunësuar që angazhohen në këtë shërbim. Për të përfituar kompensimin, subjektet duhet të jenë të regjistruara dhe të ushtrojnë aktivitetin në përputhje me ligjin, të kenë paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të kenë dhënë dakordësinë me shkrim për aktivizimin e punonjësit.
Çfarë do të kompensohet?
Për bizneset dhe organizatat jofitimprurëse, shteti do të mbulojë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, tatimin mbi të ardhurat, si dhe diferencën mes pagës bruto që punonjësi merr nga punëdhënësi dhe pagës bruto që përfiton gjatë shërbimit rezervist, në rastet kur kjo e fundit është më e ulët.
Ndërsa për të vetëpunësuarit, kompensimi do të përfshijë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe tatimin mbi të ardhurat. Përllogaritja do të bazohet në pagesat korrente të deklaruara në sistemin elektronik të tatimeve, ndërsa masa e kompensimit do të përcaktohet në varësi të ditëve të aktivizimit në shërbimin ushtarak rezervist. Për personat e vetëpunësuar kërkohet gjithashtu të provohet se kanë ushtruar aktivitet ekonomik real dhe aktiv, duke siguruar të ardhura për të paktën tre muaj radhazi përpara datës së aktivizimit. Dokumentacioni do të shqyrtohet nga një strukturë e posaçme pranë njësisë së Forcave të Armatosura ku aktivizohet rezervisti, ndërsa pagesat do të kryhen nga Ministria e Mbrojtjes.







