Qeveria ka miratuar Aktin Normativ për kompensimin e bizneseve që pësuan dëme materiale gjatë protestave të zhvilluara nga 13 deri më 22 tetor 2026. Sipas skemës së miratuar, shteti do të mbulojë dëmin e vlerësuar dhe më pas do të kërkojë kthimin e shumave nga personat përgjegjës, si dhe nga organizatat që kanë organizuar tubimet e dhunshme.
Nga skema përfitojnë bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, sipas deklaratës së vitit 2025. Kompensimi parashikohet të jetë në vlerën e plotë të dëmit të vlerësuar për pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme.
Për të përfituar, subjektet e dëmtuara duhet të paraqesin kërkesë pranë administratës tatimore, duke bashkëngjitur dokumentet që vërtetojnë vlerën e sendeve të dëmtuara ose të shkatërruara. Nëse i disponojnë, bizneset duhet të dorëzojnë edhe prova për rrethanat e dëmtimit dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Administrata tatimore ka pesë ditë pune për t’ia përcjellë dokumentacionin Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Më pas, ministria do t’i kërkojë Policisë së Shtetit të verifikojë brenda 30 ditëve nëse dëmi është shkaktuar nga protestuesit gjatë tubimeve të dhunshme.
Identifikimi i autorit nuk është kusht për kompensimin. Bizneset mund të përfitojnë edhe në rastet kur personi që ka shkaktuar dëmin nuk është identifikuar, me kusht që të konfirmohet lidhja mes dëmit dhe tubimit të dhunshëm. Nëse provat rezultojnë të pamjaftueshme, kërkesa për kompensim refuzohet.
Kur autori identifikohet, Policia e Shtetit njofton Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, e cila ia përcjell informacionin Avokaturës së Shtetit. Kjo e fundit i kërkon personit përgjegjës të kthejë shumën e paguar nga shteti për kompensimin e biznesit. Nëse paratë nuk shlyhen vullnetarisht brenda 30 ditëve, Avokatura e Shtetit ngre padi për rikuperimin e shumës.
Përgjegjësia për dëmshpërblimin shtrihet edhe te personi juridik ose organizata që ka organizuar protestën e dhunshme, sipas përcaktimeve të aktit normativ.
Skema përfshin edhe pasuritë e pasiguruara, si dhe rastet kur polica e sigurimit nuk mbulon dëmet e shkaktuara nga trazirat apo aktet e dhunshme. Nëse siguruesi mbulon vetëm një pjesë të dëmit, shteti kompenson pjesën e mbetur të pambuluar.
Fondet për dëmshpërblimin do të përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për ekonominë. Akti normativ parashikon gjithashtu gjoba, sipas ligjit për tubimet, për personat ndaj të cilëve është vlerësuar i ligjshëm arresti, në kushtet e përcaktuara në akt.







