Startup-et e financuara nga qeveria kanë kaluar nga nisma inovatore në biznese që po gjenerojnë fitim. Sipas të dhënave të raportit “Albania Startup Ecosystem Assessment 2025”, të publikuara nga Startup Albania, 31% e startup-eve shqiptare kanë arritur të gjenerojnë fluks pozitiv të ardhurash. Kjo është edhe kategoria më e madhe, duke treguar se pothuajse një në tre startup-e ka krijuar tashmë një model biznesi financiarisht funksional.
Ndërkohë, 26% e sipërmarrjeve janë ende në fazën e zhvillimit, ndërsa 22% kanë një produkt të gatshëm, por ua ofrojnë përdoruesve falas. Vetëm 14% kanë hedhur në treg produkte me pagesë.
Një pjesë më e vogël e startup-eve, rreth 5%, e kanë produktin të përfunduar, por nuk kanë ende përdorues, ndërsa 3% ndodhen vetëm në fazën e konceptit.
Sa i përket segmentit të tregut, dominojnë modelet biznes me biznes që arrin te konsumatori final, ku biznesi ofron shërbime për një biznes tjetër, i cili më pas arrin te konsumatori final. Ky model përfaqëson 51% të startup-eve.
Rreth 30% operojnë në modelin biznes me biznes, ndërsa 19% u drejtohen drejtpërdrejt konsumatorëve përmes modelit biznes me konsumator.
Të dhënat tregojnë një ekosistem të orientuar kryesisht drejt bashkëpunimit mes bizneseve, por me sfidë kryesore kthimin e produkteve të gatshme në burime të qëndrueshme të ardhurash.
Shqipëria është renditur ekosistemi i 4-ët më në rritje i startup-eve në Evropë në Raportin Global të Ekosistemit të Startup-eve 2026, sipas një raporti të publikuar nga StartupBlink, harta më gjithëpërfshirëse globale e ekosistemeve të startup-eve.
Vendi ynë u ngjit tetë vende në renditjen globale, për t’u renditur në vendin e 75-të në botë, kërcimi më i madh i barabartë mes vendeve evropiane dhe i 3-ti më i madhi në mbarë botën. Shqipëria rikthehet kështu në top 80-shen botërore me +71.1% rritje vjetore të ekosistemit, rritja e 4-ët më e lartë në kontinent.
Ky rezultat, pozicionon Shqipërinë mes vendeve me dinamikën më të fortë inovative në Evropë dhe konfirmon ndikimin e reformave të fundit në sektorin e inovacionit dhe sipërmarrjes.








