Qeveria synon të ndryshojë mënyrën e rekrutimit dhe avancimit në administratën publike, duke vendosur meritokracinë në qendër të sistemit. Plani i ri parashikon një testim unik kombëtar për kandidatët, krijimin e një katalogu të pozicioneve dhe kompetencave, si dhe ngritjen e një regjistri kombëtar talentesh.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se kandidatët që kalojnë provimin do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për 4 vite. Testimi do të zhvillohet në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA), e cila po zbaton modelin e testimeve të Kembrixhit.
“Shkalla e meritës, si ta bëjmë administratën një hapësirë ku vendit më të aftë t’i shërbejnë vendit nga fronti i administratës, të hyjnë. Pjesë e kësaj reforme është krijimi i Ministrisë së Administratës Publike. Hyrja në administratë, rekrutimi do të bëhet përmes një testimi kombëtar. Do të bëhet në bashkëpunim më QSHA i cili po zbaton modelin e testimeve të Kembrixh. Nga provimi merr një certifikatë që është e vlefshme për 4 vite. Përparimi gjatë karrierësd do të jetë në bazë të meritokracisë. Katalogu, regjistri kombëtar i talenteve. Të gjithë ata që duan të kontirbuojnë për shtetin shqiptar do të regjistrojnë kandidaturën e tyre. Pastaj sipas fushës së tyre të dijes do të informohen në kohë reale për të gjitha mundësitë që krijohen”, tha Rama.
Një tjetër element i reformës është krijimi i regjistrit kombëtar të talenteve, ku të gjithë individët që dëshirojnë të kontribuojnë në administratën shtetërore do të mund të regjistrojnë kandidaturën e tyre. Sipas fushës së ekspertizës, ata do të informohen për mundësitë e reja të punësimit.
Vlerësim për drejtuesit e institucioneve
Reforma do të përfshijë edhe një mekanizëm të ri për vlerësimin e drejtuesve të institucioneve publike. Ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni, bëri të ditur se brenda këtij viti do të nisë procesi i vlerësimit të cilësisë së drejtimit përmes një mekanizmi të jashtëm.
Ndërkohë, portali puna.gov.al pritet të transformohet, me qëllim krijimin e një platforme të re për sistemin kombëtar të testimit, e cila sipas ministres do të jetë gati në muajin dhjetor.
“Për secilën prej shkallëve të administratës po përgatitemi. Me sistemin kombëtar të testimit, kandidatët mund të testojnë njohuritë e tyre. Porta e hapur do të jetë gati në muajin dhjetor përmes transformimit të puna.gov.al. Katalogu kombëtar i pozicionit dhe kompetencave. Cilësia e drejtimit. Brenda këtij viti do të nisim një vlerësim të tërë përmes një mekanizmi të jashtëm, të vlerësojmë si drejtuesit tani marrin vendimet. Ecuria e shkallës së meritës do të pasqyrohet në Pasqyrë Albania”, tha Pirdeni.
Sipas qeverisë, përdorimi i inteligjencës artificiale do të ndihmojë në garantimin e integritetit të provimit unik, duke minimizuar ndërhyrjet në proces dhe duke rritur transparencën në rekrutimin e administratës publike.








