Familjet shqiptare kanë rritur shpenzimet për konsum, cka indirekt tregon për shtim të të ardhurave të disponueshme. Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave shpenzimet mesatare mujore për konsum të një njësie ekonomike familjare (NjEF), e përbërë mesatarisht nga 3,1 persona, vlerësohen në 95,227 lekë, duke shënuar një rritje prej 2,3% krahasuar me vitin 2024. Në total, shpenzimet mujore të familjeve shqiptare për konsum llogariten në rreth 72,3 miliardë lekë në muaj, duke shënuar kështu një rritje prej 2,6%, sipas të dhënave të INSTAT.
Edhe gjatë vitit 2025, grupi “Ushqime dhe pije jo-alkoolike” zë peshën më të madhe në strukturën e shpenzimeve mujore, me 39.8%, dhe një vlerë mesatare mujore prej 37,859 lekësh. Brenda këtij grupi, shpenzimet më të larta janë për perime (20.2%), mish dhe nënprodukte (16.6%) dhe bukë e drithëra (15.5%), një tregues që konfirmon se pjesa më e madhe e shpenzimeve familjare vijon të përqendrohet tek nevojat bazë të jetesës.
Në vitin 2025, grupi me rritjen më të lartë të shpenzimeve mujore është “Argëtim dhe kulturë”, me 10% krahasuar me vitin 2024. Pas tij renditen “Pije alkoolike dhe duhan” me 5.1%, si dhe “Transport” me 5%.
Nga ana tjetër, rritje ka shënuar edhe kategoria e shpenzimeve për banesën, ujin, energjinë elektrike dhe qiranë e paguar, duke arritur në 9.7%. Ndërkohë, shpenzimet për arsim kanë vijuar të jenë në të njëjtin nivel me vitin 2024, në 3.3%.
Ulja më e madhe e shpenzimeve është regjistruar në kategorinë e shëndetësisë, ku pesha e tyre ka zbritur nga 3.8% në 3.4%, si dhe në kategorinë “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës”. Të dhënat tregojnë se familjet shqiptare vijojnë të jenë të përqendruara më shumë tek shpenzimet e domosdoshme sesa tek ato për kujdesin personal.

Ndryshimet rajonale në nivelin e shpenzimeve janë gjithashtu të dukshme. Tirana kryeson me një mesatare mujore prej 110,904 lekësh, shumë më lart se mesatarja kombëtare. Pas saj renditen Korça me 93,381 lekë dhe Durrësi me 91,992 lekë.
Në anën tjetër ndodhen Kukësi me 76,009 lekë dhe Dibra me 77,027 lekë, qarqe ku familjet shpenzojnë më pak se në kryeqytet. Këto diferenca pasqyrojnë ndryshimet e dukshme ekonomike dhe sociale ndërmjet rajoneve të vendit.








