Ekonomia globale po këcënohet nga rritja e çmimeve, kryesisht energjisë elektrike. Një situatë që më 10 shtator detyroi Bankën Qendrore Europiane që të rriste normën bazë të interesit për euron me 0.25 pikë përqindje.
Të mërkurën të njëjtën lëvizje bënë edhe Rezervat Federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa rritën normën bazë me 0.25 pikë përqindje, rritja e parë në më shumë se tre vjet. Ndërkaq Banka e Japonisë pritet të rrisë normën të premten në nivelin më të lartë në 31 vjet.
Sipas Reuters, zhvillimet vijnë ndërsa bankat qendrore po përballen me presione të reja inflacioniste, të lidhura edhe me rritjen e çmimeve të energjisë. Nafta Brent ka kaluar nivelin e 100 dollarëve për fuçi, ndërsa tregjet presin shtrëngim të mëtejshëm të politikës monetare në disa nga ekonomitë kryesore.
Fed rrit normat për herë të parë në tre vjet
Fed e rriti normën e fondeve federale me 0.25 pikë përqindje, në intervalin 3.75%-4%. Vendimi ishte unanim dhe shënoi ndryshimin e parë të normave nën drejtimin e kryetarit të ri të Fed, Kevin Ëarsh.
Projeksionet e publikuara pas mbledhjes treguan se 16 nga 18 politikëbërës presin të paktën edhe një rritje tjetër me 0.25 pikë përqindje deri në fund të këtij viti. Fed rriti gjithashtu parashikimin për inflacionin në SHBA për vitin 2026 në 3.7%, nga 3.6% që parashikonte në qershor. Inflacioni nuk pritet të rikthehet në objektivin prej 2% deri në vitin 2029.
Ëarsh tha se shpenzimet e brendshme kanë mbetur të qëndrueshme, tregu i punës është i fortë dhe investimet kapitale vazhdojnë të jenë të larta.
Pas vendimit, yield-et e bonove afatshkurtra të Thesarit amerikan u rritën, ndërsa dollari arriti nivelin më të lartë në shtatë javë.
BQE, rritja e dytë e normave këtë vit
Banka Qendrore Europiane e kishte nisur më herët rikthimin te shtrëngimi monetar.
Më 10 shtator, BQE rriti normën e depozitave me 0.25 pikë përqindje, në 2.5%, rritja e dytë gjatë këtij viti. Vendimi erdhi pasi inflacioni në Eurozonë kaloi 3%, i nxitur kryesisht nga rritja e kostove të energjisë.
BQE rriti njëkohësisht parashikimet e saj për inflacionin. Banka pret tashmë një normë mesatare prej 3% në vitin 2026 dhe 2.5% në vitin 2027, duke e mbajtur inflacionin mbi objektivin prej 2%. Presidentja Christine Lagarde tha se banka do të vazhdojë të marrë vendimet nga një mbledhje në tjetrën, në varësi të të dhënave ekonomike.
Yield-et e obligacioneve të Eurozonës u rritën pas vendimit, ndërsa tregjet shtuan pritshmëritë për rritje të tjera të normave.
Japonia pritet t’i bashkohet rritjes së normave
Vëmendja tani është zhvendosur te Banka e Japonisë, e cila përfundon të premten mbledhjen dyditore të politikës monetare.
Banka pritet ta rrisë normën me 0.25 pikë përqindje, nga 1% në 1.25%, niveli më i lartë në 31 vjet. Do të ishte një tjetër hap në largimin e Japonisë nga politika e normave jashtëzakonisht të ulëta që vendi ndoqi për dekada.
Burime të njohura me diskutimet brenda bankës kanë sinjalizuar se politikëbërësit mund të tregojnë gatishmëri për rritje të mëtejshme të kostove të huamarrjes nëse presionet mbi çmimet vazhdojnë.
Guvernatori Kazuo Ueda ka deklaruar më herët se normat do të vazhdojnë të rriten nëse ekonomia dhe inflacioni zhvillohen në përputhje me parashikimet e bankës.
Në Britaninë e Madhe, Banka e Anglisë pritet ndërkohë ta mbajë normën në 3.75%, ndërsa tregjet vazhdojnë të parashikojnë mundësinë e një rritjeje më vonë gjatë vitit.








