Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ka deklaruar në një konferencë për shtyp se qeveria ka nisur punën për zhvillimin e ishullit të Sazanit, duke theksuar se ai do të mbetet në pronësi të shtetit shqiptar.
Ministrja Ibrahimaj pohoi se shteti shqiptar do të marrë pjesë në projekt si bashkinvestitor dhe bashkëpronar, ndërsa aktualisht po zhvillohen negociata me kompaninë për të përcaktuar përqindjen e pjesëmarrjes së shtetit në investim.
“Kemi filluar punën për të bërë disa veprime me zhvillimin e zonës së Sazanit. Është një ishull që do të mbetet në pronësi të shtetit shqiptar.
Në atë projekt shteti shqiptar do të përfshihet si bashkinvestitor, bashkëpronar.
Jemi duke negociuar me kompaninë për sa i përket përqindjes që shteti do të ketë në zhvillimin e projektit. Sapo të kemi një pasqyrë të qartë do të bëhet transparente”, pohoi Ibrahimaj.
Ajo bëri të ditur gjithashtu, se brenda këtij viti do të miratohet edhe ligji për investimet strategjike.
“Kemi marrë përsipër që brenda këtij vitit të miratojmë ligjin e ri për investimet. Të bëjmë një analizë për të gjithë vendet e BE me qëllim tërheqjen e investime në vendet e tyre. Brenda verës ne do të fillojmë një proces të konsultimit për ligjin për investimet sipas standardeve të BE dhe për tërheqjen e investimeve në zona të disavantazhuara”.
Ministrja Delina Ibrahimaj u ndal edhe te pensionet, duke kujtuar se në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave u miratua indeksimi i tyre me 2.7%, i cili do të hyjë në fuqi duke nisur nga muaji korrik. Sipas saj, gjatë muajit shtator qeveria do të prezantojë komponentët e reformës së skemës së pensioneve, duke sqaruar se atëherë do të bëhen publike edhe fushat ku do të ndërhyhet.
Ministrja theksoi se qeveria ka treguar vëmendje të veçantë ndaj grupeve më të ndjeshme të popullsisë gjatë periudhave të krizave, ndërsa shtoi se aktualisht inflacioni në vend është në nivelin 3%, në përputhje me objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Megjithatë, Ibrahimaj garantoi se, nëse treguesit ekonomikë do të sinjalizojnë një rritje të ndjeshme të çmimeve, qeveria do të ndërmarrë masa të reja mbështetëse për pensionistët dhe shtresat më në nevojë.








