Duke e vendosur në qendër potencialin e destinacioneve autentike shqiptare dhe rolin që teknologjia mund të luajë në promovimin e tyre, nisma “Destinacionet që vlejnë” e One Albania dhe Business Magazine synon të sjellë më pranë publikut histori, njerëz dhe vende që meritojnë më shumë vëmendje, duke i ndihmuar të lidhen me një audiencë më të gjerë dhe të promovojnë përvojat që ofrojnë. Jonilda Filipi, Head of Corporate Affairs në ONE Albania, flet për arsyet pas kësaj nisme, fuqinë e storytelling-ut dhe teknologjisë, si dhe për rëndësinë e mbështetjes së bizneseve që ruajnë traditat dhe krijojnë vlerë për komunitetet lokale.
Si lindi nisma “Destinacione që vlejnë” dhe pse ONE Albania vendosi të investojë në promovimin e historive dhe destinacioneve shqiptare? Si po funksionon nisma?
Nisma “Destinacionet që vlejnë” lindi pasi konstatuam një ndryshim në tipologjinë e turistit tipik shqiptar. Përpara disa viteve, turistët vinin në Shqipëri kryesisht për bregdetin dhe zonat malore. Sot, ata kërkojnë përvoja më autentike. Duan të njohin njerëzit, traditat, ushqimin dhe mënyrën tonë të jetesës. Paralel me këtë, në shumë zona të vendit janë ngritur agroturizme, shpesh nga familje që kanë investuar kursimet dhe mundin e tyre për të ndërtuar diçka me shumë pasion dhe dashuri për rrënjët e tyre. Ata kanë një produkt të mirë, por jo gjithmonë kanë mjetet e duhura për t’u promovuar.
Pikërisht këtu menduam se One Albania mund të ofrojë kontributin e saj. Një kompani lider në telekomunikacion nuk ka vetëm rolin të lidhë njerëzit përmes teknologjisë, por edhe përgjegjësinë të mbështesë komunitetet ku vepron. Në thelb, “Destinacionet që vlejnë” synon të përdorë teknologjinë dhe komunikimin për t’i lidhur këto biznese agroturizmi me më shumë vizitorë dhe me një treg shumë më të gjerë./Business Mag








