Tregu i qirasë financiare (lizingut) u rrit sërish me ritme dyshifrore për vitin e kaluar.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, portofoli i qirasë financiare në fund të vitit 2025 arriti vlerën e 14.1 miliardë lekëve ose rreth 146 milionë eurove. Vlera e portofolit u rrit me 12.8% krahasuar me vitin 2024.
Qiraja financiare është një produkt i ngjashëm me kredinë, por ndryshimi kryesor është se produkti i financuar nëpërmjet saj mbetet në pronësi të institucionit financiar deri në momentin kur klienti shlyen detyrimin e plotë.
Mekanizmi i lizingut parashikon një parapagim të pjesshëm nga klienti të vlerës së mjetit apo pajisjes së financuar, ndërsa pjesa e mbetur paguhet me këste mujore deri në shlyerjen e plotë të vlerës. Qiraja financiare është një produkt i fokusuar kryesisht në financimin e mjeteve të transportit të bizneseve dhe individëve dhe në një pjesë më të vogël në financimin e pajisjeve dhe linjave të prodhimit të bizneseve.
Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, portofoli i qirasë financiare, sipas produkteve, dominohet nga financimet për mjete transporti personale (67%) dhe mjete transporti pune (24%).
Portofoli i financimit të automjeteve personale vitin e kaluar u rrit me 81%, ndërsa ai i financimit të mjeteve të punës pësoi rënie me rreth 2.3%.
Ndërkohë, pajisjet e tjera të punës dhe linjat e prodhimit përbënin afërsisht 7% të portofolit total të qirasë financiare. Vlera e këtij portofoli u rrit me 22% gjatë vitit 2025, për një shumë totale prej rreth 960 milionë lekësh.
Në një masë më të vogël, produkti i qirasë financiare përdoret edhe për financimin e pasurive të paluajtshme. Në fund të 2025, ky portofol kishte vlerën modeste të 170 milionë lekëve (1.2% të portofolit total).
Tregu i qirasë financiare, ashtu si ai i produkteve të tjera financiare, ka ndjekur rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në periudhën pas pandemisë. Produkti është nxitur ndjeshëm nga rritja e turizmit, që ka rritur kërkesën për taksi dhe flotat e reja janë të orientuara drejt automjeteve elektrike. Blerja e tyre përbën një segment të rëndësishëm të kërkesës për financime me lizing. Një aktivitetet tjetër ku lizingu ka peshë të rëndësishme është financimi i blerjes së automjeteve për dhënien e tyre me qira, kryesisht për përdorim nga turistët.
Efekti i tërthortë i turizmit është shtrirë edhe në sektorët e distribucionit dhe tregtisë, që kanë zgjeruar flotat e tyre të automjeteve. Një segment në rritje është edhe ai i shërbimeve mjekësore (edhe këtu një pjesë e rëndësishme e kërkesës vjen nga turizmi mjekësor), ku blerja ose rinovimi i pajisjeve po financohet në një masë të madhe me qira financiare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht në Shqipëri ushtrojnë aktivitet 10 institucione të licencuara për ofrimin e qirasë financiare. Megjithatë, veç institucioneve financiare jobanka, ky produkt ofrohet edhe nga disa prej bankave tregtare në vend./ Monitor







