Borxhi publik në vendet e Ballkanit Perëndimor ndoqi përgjithësisht një prirje rënëse pas niveleve të larta të fillimit të dekadës, por ecuria nuk ka qenë e njëjtë në të gjitha ekonomitë.
Deri në vitin 2025, Shqipëria, Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kishin ulur raportin e borxhit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në Malin e Zi rënia e fortë e viteve të para u pasua nga një rritje e re. Borxhi nisi të zgjerohej lehtë edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Sipas të dhënave të Komisionit Europian, Mali i Zi dhe Shqipëria kishin në vitin 2025 raportin më të lartë të borxhit publik ndaj ekonomisë në rajon. Borxhi i Malit të Zi arriti në 63.5% të PBB-së, ndërsa ai i Shqipërisë ishte 52.9%. Pas tyre renditej Maqedonia e Veriut me 51.6%, Serbia me 44.4%, Bosnjë dhe Hercegovina me 27% dhe Kosova me 16.5%.
Shqipëria, tendencë në ulje
Pavarësisht renditjes së lartë, Shqipëria ka shënuar uljen më të madhe të borxhit në rajon gjatë periudhës së analizuar. Raporti zbriti nga 74.1% e PBB-së në vitin 2021 në 64.1% në vitin 2022 dhe 57.6% në vitin 2023. Rënia vijoi në 54.2% në vitin 2024 dhe 52.9% në vitin 2025.
Komisioni Europian parashikon që tendenca rënëse të vazhdojë. Borxhi i përgjithshëm i qeverisë pritet të ulet në 52.3% të PBB-së në vitin 2026 dhe në 50.3% në vitin 2027. Në tremujorin e parë të vitit 2026, raporti i borxhit publik zbriti në 48.8% të PBB-së, mbi 5 pikë përqindjeje më pak se një vit më parë. Komisioni Europian sqaron se rënia lidhet si me uljen e stokut nominal të borxhit, ashtu edhe me rritjen e PBB-së nominale, përfshirë përditësimin e vlerësimeve nga Ministria e Financave.
Mali i Zi, borxhi pritet të rritet në 69.4% në 2026
Mali i Zi vijon të ketë barrën më të lartë të borxhit publik në Ballkanin Perëndimor. Raporti i borxhit ndaj PBB-së ra nga 84% në vitin 2021 në 70.8% në vitin 2022 dhe në 59.3% në vitin 2023.
Pas kësaj rënieje, tendenca ndryshoi. Borxhi u rrit në 61.3% të PBB-së në vitin 2024 dhe në 63.5% në vitin 2025. Për vitin 2026, Komisioni Europian parashikon një rritje të mëtejshme në 69.4%, përpara se raporti të ulet në 64.3% në vitin 2027.
Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2026 tregojnë një ulje të përkohshme të raportit në 59% të PBB-së, nga 63.5% në fund të vitit 2025. Megjithatë, zgjerimi i shpenzimeve dhe nevojat për financim pritet ta rrisin borxhin në pjesën tjetër të vitit.
Maqedonia e Veriut rikthehet në rritje
Maqedonia e Veriut nuk ka shënuar një tendencë të qëndrueshme në uljen e borxhit. Raporti ishte 51.4% e PBB-së në vitin 2021 dhe zbriti lehtë në 49.7% në vitin 2022 dhe 49.5% në vitin 2023.
Në vitin 2024, borxhi u rrit në 53% të PBB-së, përpara se të ulej në 51.6% në vitin 2025. Komisioni pret që ai të rritet sërish në 52.5% në vitin 2026 dhe në 53.3% në vitin 2027.
Në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, borxhi i përgjithshëm i qeverisë arriti në 51.9% të PBB-së së parashikuar, 0.3 pikë përqindjeje më shumë se në fund të vitit 2025. Rritja lidhet edhe me zgjerimin e deficitit dhe shpenzimeve kapitale.
Serbia e ul borxhin më shumë se vendet e tjera
Serbia, e cila dikur ishte një nga vendet me nivelin më të lartë të borxhit në rajon, ka shënuar një trajektore rënëse të vazhdueshme. Borxhi zbriti nga 53.9% e PBB-së në vitin 2021 në 52.5% në vitin 2022, 48% në vitin 2023 dhe 46.7% në vitin 2024.
Në vitin 2025, raporti ra më tej në 44.4%, rreth 8.5 pikë përqindjeje më poshtë se në Shqipëri. Komisioni parashikon një rritje të lehtë në 45.8% në vitin 2026, ndërsa për vitin 2027 pritet një ulje në 45%.
Bosnjë dhe Hercegovina, borxhi nis të rritet
Bosnjë dhe Hercegovina ka një nga nivelet më të ulëta të borxhit në rajon, por tendenca ka ndryshuar pas vitit 2024.
Borxhi zbriti nga 33.9% e PBB-së në vitin 2021 në 29.3% në vitin 2022, 26.4% në vitin 2023 dhe 26.1% në vitin 2024. Në vitin 2025, raporti u rrit në 27%.
Komisioni Europian pret që rritja të vijojë, me borxhin që parashikohet në 27.5% të PBB-së në vitin 2026 dhe në 28.3% në vitin 2027. Në tremujorin e parë të vitit 2026, raporti ishte 27.5%, i ndikuar kryesisht nga shtimi i borxhit afatshkurtër në monedhën vendase. Stoku nominal i borxhit u rrit me 11.6% në krahasim me një vit më parë.
Kosova ka borxhin më të ulët në rajon
Kosova vijon të ketë nivelin më të ulët të borxhit publik në Ballkanin Perëndimor. Raporti zbriti nga 21.5% e PBB-së në vitin 2021 në 20% në vitin 2022 dhe 17.5% në vitin 2023.
Rënia vazhdoi në 16.8% në vitin 2024 dhe në 16.5% në vitin 2025. Në tremujorin e parë të vitit 2026, borxhi ishte ulur më tej në 15.6% të PBB-së. Raporti i Komisionit Europian nuk jep parashikime vjetore për Kosovën për vitet 2026 dhe 2027.








