Mbi 18 mijë shtetas të huaj nga 140 shtete kanë aplikuar për lejeqëndrimi në Shqipëri për 6 muajt e parë të 2026-s.
Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit për Monitor, gjatë periudhës janar–qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 18,552 aplikime për lejeqëndrimi për shtetas të huaj.
Nga të dhënat konstatohet se kërkesa për lejeqëndrimi në Shqipëri vijon të dominohet nga motivet e punësimit, ndërsa fluksi i aplikimeve mbetet i përqendruar kryesisht në qytetet e Durrësit, Tiranës dhe Vlorës.
Konkretisht, pjesa më e madhe e aplikimeve, 11,246 apo 61%, i përkasin kategorisë së lejeve unike për punëmarrës, duke konfirmuar se punësimi mbetet arsyeja kryesore për qëndrimin e shtetasve të huaj në vend.
Më pas renditen aplikimet për motive humanitare me 2,564 aplikime apo duke përbërë 14% të totalit. Për bashkim familjar janë pajisur me leje qëndrimi 1,746 shtetas apo 9% e totalit.
Kategori të tjera përfshijnë dhënie të 805 lejeve të qëndrimit për studime që përbënë 4% të totalit të lejeve të reja. Gjithashtu leje unike për të vetëpunësuar/investitorë pati 737 për janar-qershor apo 4% e tyre, ndërsa për leje të përhershme janë regjistruar 20 aplikime.
Sipas gjinisë, 11,851 aplikantë apo 64% e tyre janë meshkuj, ndërsa 6,701 apo 36% e tyre janë femra.
Për sa i përket shpërndarjes territoriale, numri më i madh i aplikimeve është regjistruar në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin (DVKM) në Durrës me 6,241 aplikime duke përbërë 34% të totalit, e ndjekur nga Tiranë me 5,932 apo 32% e tyre dhe Vlorë me 4,356 apo 23% e tyre.
Ndërkohë, DVKM Shkodër ka regjistruar 1,301 aplikime, në Kukës 328, në Gjirokastër 273 dhe në Korçë 121 aplikime.
Të dhënat tregojnë se numrin më të lartë të aplikimeve e kanë paraqitur shtetasit nga Filipinet, me 2,841 aplikime, të ndjekur nga shtetasit e Zvicrës me 2,511, Indisë me 2,323 dhe Egjiptit me 2,270 aplikime.
Në vijim renditen shtetasit e Italisë me 1,478 aplikime, Kosovës me 1,266, Turqisë me 985, SHBA me 504, Myanmar-it me 494 dhe Tunizisë me 296 aplikime.
Gjithashtu, një numër i konsiderueshëm aplikimesh është regjistruar nga shtetas të Ukrainës (237), Rusia (222), Indonezisë (215), Maqedonisë së Veriut (210) dhe Nigerisë (173). Pjesa tjetër e aplikimeve është shpërndarë ndërmjet shtetasve nga mbi 100 shtete të ndryshme./ Monitor







