Ksamilit dhe Fushë-Studenit do t’u shtohen tre hapësira të reja parkimi publik, në një ndërhyrje që synon të rrisë kapacitetet në dy destinacione turistike me profile të ndryshme, bregdetin e mbingarkuar gjatë verës dhe zonën malore të frekuentuar për natyrë e aventurë.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi këtë javë tenderin me objekt “Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit, Rajoni 3&4: Sistemimi urban për krijimin e parkimeve të hapura publike në Ksamil, Sarandë dhe Fushë-Studen, Librazhd”.
Fondi limit i procedurës është 133.5 milionë lekë, ose rreth 1.4 milionë euro, ndërsa punimet parashikohet të përfundojnë brenda 18 muajve.
Pjesa më e madhe e kapacitetit do të krijohet në Ksamil, ku projekti ndahet në dy sheshe. Sipas numërimit të vendeve të shënuara në planimetritë e projektit, parkimi i parë ka rreth 166 vende, ndërsa i dyti rreth 119 vende. Në total, dy hapësirat parashikojnë afërsisht 285 vende parkimi, përfshirë pozicionet e rezervuara.
Ndërhyrja vjen në një nga zonat me përqendrimin më të lartë sezonal të vizitorëve. Gjatë muajve të verës, fluksi në Ksamil rrit trafikun dhe kërkesën për parkim, duke e bërë gjetjen e një vendi të lirë një nga vështirësitë kryesore për vizitorët dhe operatorët turistikë.
Në Fushë-Studen, projekti do të zhvillohet në një parcelë prej 1,752 metrash katrorë. Dokumentacioni parashikon 44 vende standarde parkimi.
Fushë-Studeni, pjesë e zonës së Librazhdit, ka regjistruar interes në rritje nga vizitorët që kërkojnë turizëm natyror, aktivitete në natyrë dhe destinacione malore. Parkimi i ri synon të krijojë një pikë të organizuar pritjeje për automjetet në një zonë ku frekuentimi lidhet kryesisht me fundjavat dhe sezonet turistike.
Tenderi është pjesë e programit për ndërtimin e nyjeve multimodale të mobilitetit, përmes të cilit FSHZH po zhvillon dhe pajis parkime publike në disa qytete dhe destinacione.
Nisma lidhet edhe me planin më të gjerë të qeverisë për infrastrukturën e parkimeve. Kryeministri Edi Rama tha më herët se qeveria do të zbatonte një një program kombëtar përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, duke përfshirë parkime nëntokësore dhe struktura parkimi të konceptuara si pjesë e ndërhyrjeve arkitekturore dhe urbane.
FSHZH ka hapur ndërkohë edhe procedura të tjera për përmirësimin teknologjik të parkimeve publike në Vlorë, Durrës, Berat dhe Gjirokastër, me sisteme automatike menaxhimi dhe pagese.









