Më shumë se 10 milionë persona pretendohet se kanë firmosur një peticion online që kërkon përjashtimin e Argjentinës nga Kupa e Botës 2026, mes akuzave se FIFA dhe arbitrat kanë favorizuar Lionel Messin dhe kampionët në fuqi.
Peticioni, i publikuar në faqen ArgentinaOut.org, fitoi vëmendje të madhe pas fitores dramatike të Argjentinës ndaj Egjiptit në fazën e 1/8-ave të turneut.
Nisma, e drejtuar nga tifozët, pretendon se Argjentina ka përfituar nga disa vendime të diskutueshme të arbitrimit gjatë kompeticionit. “Argentina Out është një fushatë e udhëhequr nga tifozët, e cila kërkon largimin e Argjentinës nga Kupa e Botës 2026. Firmosni peticionin për të kërkuar zbatim të njëjtë të rregullave, arbitrim transparent dhe konkurrencë të ndershme për çdo kombëtare”, thuhet në faqen e fushatës.
Debati u intensifikua pas ndeshjes mes Argjentinës dhe Egjiptit, ku skuadra amerikano-jugore përmbysi disavantazhin 2-0 dhe shënoi tri herë në 13 minutat e fundit, pavarësisht se Lionel Messi kishte humbur më herët një penallti. Pala egjiptiane reagoi me zemërim pasi një gol iu anulua pas ndërhyrjes së sistemit VAR, ndërsa goli i fitores së Argjentinës u konsiderua i rregullt, megjithëse pati pretendime për një faull ndaj Mohamed Salah gjatë aksionit.
Trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan, lëshoi akuza të forta pas përfundimit të takimit. “Do të them atë që mendoj, pavarësisht pasojave. Kjo ndeshje ishte qartësisht e manipuluar dhe të gjithë e panë. Nëse duan kaq shumë që ata të fitojnë, atëherë pse i ftojnë të gjitha kombëtaret të marrin pjesë në Kupën e Botës?”, deklaroi ai. Hassan shtoi se FIFA promovon parimin e “Fair Play”, por sipas tij ky parim nuk u respektua në fushën e lojës. “Pa ato gabime, rezultati do të kishte qenë ndryshe”, tha trajneri egjiptian.
Scaloni hedh poshtë akuzat për favorizim
Përpara ndeshjes së radhës së Argjentinës, trajneri Lionel Scaloni i hodhi poshtë pretendimet se skuadra e tij ishte favorizuar nga arbitrat, duke argumentuar se teknologjia moderne e bën pothuajse të pamundur një ndërhyrje të tillë.“Edhe në vitin 1986 thoshin se Argjentina po përfitonte avantazhe të padrejta. Kjo nuk është diçka e re për ne”, deklaroi Scaloni. Sipas tij, akuzat vijnë edhe nga persona që nuk dëshirojnë ta shohin Argjentinën fituese. “Ka njerëz që nuk u pëlqen ta shohin Argjentinën të fitojë. Këto komente vetëm sa e motivojnë më shumë skuadrën time për të luajtur futboll më të mirë”, tha ai.
Scaloni theksoi se përdorimi i VAR-it dhe teknologjive të tjera kufizon ndjeshëm mundësinë që një skuadër të favorizohet qëllimisht. “Me VAR-in dhe gjithë teknologjinë që kemi sot, është jashtëzakonisht e vështirë të ndihmosh dikë. Hapësira për interpretime është shumë e vogël. Sot, një gjë e tillë është pothuajse e pamundur”, u shpreh trajneri argjentinas.
Pavarësisht vëmendjes që ka marrë peticioni në rrjetet sociale dhe në disa media ndërkombëtare, deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nga FIFA që të sugjerojë se po shqyrtohet përjashtimi i Argjentinës nga turneu. Pretendimet për favorizim mbeten pjesë e debatit publik dhe nuk janë konfirmuar nga një hetim i pavarur.
TOI, Business Mag








