Qendra studimore e taksave, ALTAX ka analizuar performacën e qeverisë “Rama 4” në këto 300 ditë. Ajo që konstatohet si problematike është një hendek i thellë mes planifikimit dhe zbatimit, ndërkohë që shqetësim mbetet korrupsioni.
“Një analizë e zgjeruar e Indeksit të Fizibilitetit të programit qeverisës “Shqipëria 2030”, e ndërtuar mbi metodologjinë POLIFAKT/ALTAX, vlerëson se qeveria “Rama 4” ka arritur një nivel fizibiliteti prej 58–62% në 300 ditët e para të mandatit (18 shtator 2025 – 15 korrik 2026), si një vlerësim konservativ që tregon bazë të fortë planifikimi dhe mbështetje ndërkombëtare, por zbatim fizik të projekteve që mbetet sistematikisht më i ngadaltë se premtimet normative”, theksohet në raport.
Analiza ëhstë shtrirë tek të gjitha ministritë, duke bëhet edhe renditja e atyre që kanë performuar më mirë dhe më keq.
“Hendek prej 14 pikësh përqindje ndan ministrinë më mirë-performuese (Mbrojtja, 67%) nga ajo më pak performuesja (Infrastruktura dhe Energjia, 53%), duke treguar performancë shumë të pabarabartë brenda një qeverie në mandatin e katërt pandërprerje qeverisje qendrore dhe kryesisht edhe vendore”, nënvizon raporti.
ALTAX evidenton se efikasiteti i shpenzimeve publike për 300 ditët vlerësohet vetëm 52–58%, pasi fondet alokohen dhe angazhimet nënshkruhen, por përkthimi i tyre në rezultate fizike të prekshme (km rrugë, shkolla, spitale) vonon në pothuajse çdo sektor investimesh.
Korrupsioni mbetet rreziku me ndikimin më të lartë, ku CPI 2025 i Shqipërisë ra në 39 pikë (nga 42 në 2024). Kostoja rajonale e korrupsionit dhe informalitetit për Shqipërinë vlerësohet nga ALTAX Observatory në €0.85–1.11 miliardë në vit (3.1–4.0% e PBB-së), që është një shifër e publikuar, jo thjesht ilustruese.
Raporti thekson arritje të qarta dhe të pakushtëzuara. Buxheti i mbrojtjes u rrit në 2.12% të PBB-së, u nënshkrua marrëveshja me Elbit Systems, Korridori VIII u përfshi në infrastrukturën kritike të NATO-s, dhe Shqipëria regjistroi 12.46 milionë vizitorë të huaj në 2025 (+6.6%), shifër e konfirmuar nga INSTAT.

Krahasuar me pesë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet e treta për perceptim korrupsioni (CPI 39, pas Malit të Zi me 46 dhe Kosovës me 44), përpara Maqedonisë së Veriut (40), Bosnjë-Hercegovinës (34) dhe Serbisë (33), pra mbi mesataren rajonale (ËB6: 38.3 pikë), por ende larg mesatares së BE-së (63.8 pikë).

Programi “Shqipëria 2030” synon mbylljen e negociatave me BE-në deri në 2027–2028 dhe anëtarësim të plotë në 2030. Brenda 300 ditëve, Shqipëria hapi gjithë kapitujt dhe raportoi gatishmëri për mbylljen e tre kapitujve negociues. Sipas raportit, korrupsioni dhe efikasiteti i ulët i shpenzimeve mbeten pengesat kryesore që rrezikojnë vonesa në këtë trajektore, ndërsa disiplina fiskale e ruajtur (borxh publik në rënie, 55–56% e PBB-së) përputhet me kërkesat e BE-së për stabilitet makroekonomik.
Pasi ka analizuar performancën e qeverisjes në këto 300 ditë, ALTAX del me tre propozime urgjente:
- Dashboard publik tremujor i ekzekutimit fizik të projekteve kapitale me prioritet të lartë, kosto e ulët zbatimi, afat 6–9 muaj (Ministria e Financave / AKSHI).
- Digjitalizim i plotë i prokurimeve publike (e-procurement) me zbulim automatik risku me priorite të lartë, afat 12–18 muaj (Agjencia e Prokurimit Publik / AKSHI).
- Rezultate të shpejta e të matshme nga SPAK në rastet me profil të lartë, si kusht themelor për rikthimin e besimit publik dhe të BE-së.








