Pas orës 18.00 të ditës së sotme, çmimet e karburanteve do të ndryshojnë sërish. Bordi i Transparencës ka publikuar vendimin e ri, ku konstatohet rritje e çmimit të karburanteve. Ky vendim vjen në një kohë kur në bursa nafta vijon të mbetet më pak se 90 dollarë për fuçi, në nivele të ngjashme me shkurtin, përpara se të fillonte shtrenjtimi i ndjeshëm si rrjedhojë e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Sipas vendimit të Bordit, një litër naftë do të tregtohet me 214 lekë, nga 206 lekë që ishte deri tani. Benzina do të tregtohet me 195 lekë, nga 191 lekë që ishte deri tani. Në krahasim me shkurtin, kur ishte rreth 185-190 lekë, nafta në vend është gati 15% më e shtrenjtë në tregun vendas.
“Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës”, theksohet në vendimin e Bordot.
Ndërkaq aktorët e tregut hidrokarbur pohojnë se nafta ka mbetur më e shtrenjtë, ndonëse në bursa ka rënë në nivelet e parakrizës për disa arsye. Së pari, dollari është rritur, duke arritur deri në 116 lekë, nga 108 lekë që ishte në shkurt, ndonëse së fundmi ai është nënçmuar sërish duke zbritur në rreth 110 lekë dhe së dyti, ndryshimet në zinxhirin e furnizimit kanë shtrenjtuar kostot e transportit.