Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në lehtësimin e një dialogu gjithëpërfshirës mes palëve, pas protestave të ditëve të fundit dhe mesazhit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Në një reagim publik, OSBE-ja ka mirëpritur qëndrimin e kreut të shtetit, duke iu bashkuar thirrjes së tij për qetësi dhe dialog. Organizata thekson se është e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj, nëse kjo kërkohet nga palët e përfshira.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret mesazhin e sotëm të Presidentit Begaj. Ne i bashkohemi thirrjes për qetësi dhe dialog gjithëpërfshirës dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në lehtësimin e një dialogu të tillë, nëse na kërkohet”, thuhet në deklaratë.
Më herët, Presidenti Bajram Begaj dënoi aktet e dhunës gjatë protestave, duke theksuar se zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për të krijuar një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi.
Qëndrimi i OSBE-së vjen në mbështetje të thirrjeve për uljen e tensioneve dhe zgjidhjen përmes komunikimit, ndërsa organizata ka bërë të qartë se angazhimi i saj për lehtësimin e dialogut do të varet nga një kërkesë e palëve.







