Mbledhjet e shumta dhe të organizuara pa objektiva të qarta po kthehen në një nga pengesat kryesore të produktivitetit në kompani. Takimet që zgjasin më shumë seç duhet, pjesëmarrësit e panevojshëm dhe diskutimet pa një rezultat konkret konsumojnë kohën që punonjësit mund t’ia kushtonin detyrave të tyre.
Sipas raportit World’s Most Admired Companies 2026, të realizuar nga Korn Ferry dhe Fortune, rreth dy të tretat e drejtuesve i konsiderojnë mbledhjet si shkakun kryesor të humbjes së kohës në punë. Ndërkohë, një studim i Microsoft, publikuar në vitin 2025, tregon se 50% e mbledhjeve zhvillohen në intervalet 09:00–11:00 dhe 13:00–15:00, duke ndërprerë oraret kur punonjësit mund të përqendrohen në detyrat e tyre.
Në një analizë të publikuar nga CNBC, eksperti i komunikimit në biznes, John Bowe, propozon disa ndryshime praktike për ta bërë organizimin e mbledhjeve më efikas. Së pari, kompanitë duhet të rishikojnë takimet periodike dhe të vlerësojnë nëse ato janë ende të nevojshme, nëse duhet të zhvillohen me të njëjtën frekuencë dhe nëse të gjithë pjesëmarrësit duhet të jenë të pranishëm.
Një tjetër rekomandim është shkurtimi i kohëzgjatjes së takimeve. Sipas ekspertit, një mbledhje e planifikuar për 60 minuta mund të përfundojë edhe në 30 apo 40 minuta, nëse diskutimi është i strukturuar dhe i përqendruar te çështjet kryesore. Po aq i rëndësishëm është përcaktimi i një objektivi konkret për çdo takim. Bowe thekson se ekziston një dallim mes një teme diskutimi dhe një rezultati që synohet të arrihet. Për shembull, diskutimi mbi marketingun e tremujorit të tretë nuk është i njëjtë me përcaktimin e dy fushatave që do të financohen gjatë kësaj periudhe.
Eksperti rekomandon gjithashtu komunikim më të shkurtër dhe të drejtpërdrejtë, duke paraqitur fillimisht përfundimin apo vendimin kryesor dhe më pas argumentet që e mbështesin atë. Së fundmi, kompanitë duhet të vlerësojnë efektivitetin e mbledhjeve, duke kërkuar reagime nga pjesëmarrësit dhe duke analizuar nëse janë arritur rezultatet e synuara. Sipas Bowe, një ekip arriti të reduktonte me rreth 25% kohën e shpenzuar në mbledhje, vetëm përmes përmirësimit të organizimit dhe komunikimit.
Mesazhi për bizneset është se më shumë takime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht më shumë produktivitet. Përkundrazi, mbledhjet më të pakta, më të shkurtra dhe me objektiva të qarta mund të sjellin rezultate më të mira.








