Ekonomia shqiptare u rrit me 3.7% gjatë vitit 2025, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe turizmi. Ky është një nga konstatimet kryesore të raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë 2026, i cili vlerëson se vendi ka bërë përparim në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale, por vijon të përballet me problematika strukturore. Sipas raportit, rritja ekonomike u mbështet nga konsumi privat, i ndikuar nga rritja e pagave, punësimi dhe inflacioni i ulët. Turizmi vijoi të mbështesë eksportet e shërbimeve, ndërsa ndërtimi, aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe shërbimet publike ishin ndër sektorët që kontribuuan më shumë në zgjerimin e ekonomisë.
Një zhvillim pozitiv ishte ngushtimi i deficitit të llogarisë korrente në vetëm 0.7% të PBB-së në vitin 2025, nga 2.4% që ishte një vit më parë. Komisioni Europian ia atribuon këtë kryesisht rritjes së të ardhurave nga turizmi dhe ngadalësimit të importeve.
Raporti evidenton se eksportet e mallrave vijuan rënien për të tretin vit radhazi. Kjo lidhet me dobësimin e kërkesës në tregjet kryesore europiane, rritjen e kostove të punës dhe forcimin e lekut, duke prekur veçanërisht sektorët intensivë në punë, si tekstilet dhe këpucët.
Komisioni vëren gjithashtu se të ardhurat publike në raport me PBB-në mbeten të ulëta, pavarësisht rritjes së tyre, ndërsa investimet publike vijojnë të mos realizohen sipas planifikimit. Për këtë arsye, Brukseli kërkon përshpejtimin e zbatimit të strategjisë afatmesme të të ardhurave, forcimin e transparencës fiskale dhe përmirësimin e përzgjedhjes e zbatimit të projekteve të investimeve publike. Raporti nënvizon se mjedisi i biznesit vijon të ndikohet nga dobësitë në sundimin e ligjit, aksesi i kufizuar në financim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe mangësitë në mbikëqyrjen dhe administrimin e ndërmarrjeve shtetërore.







