Çdo gjobë do të ketë një numër unik dhe bazë të qartë ligjore. Qytetarët do të njoftohen në kohë reale përmes e-Albania dhe do të mund t’i kontrollojnë, paguajnë apo ankimojnë elektronikisht. Rama paralajmëron edhe pajisjen e policisë dhe inspektorëve me kamera trupi.
Shqipëria do të ketë një Sistem Unik të Gjobave, përmes të cilit vendosja, njoftimi, pagesa dhe ankimi i kundërvajtjeve administrative do të kryhen në mënyrë digjitale. Sistemi i ri u prezantua këtë të martë dhe synon të unifikojë procedurat e administrimit të gjobave, duke garantuar transparencë dhe gjurmueshmëri për çdo akt administrativ. Përmes platformës e-Albania, qytetarët do të njoftohen në kohë reale për gjobat e vendosura, përfshirë edhe përmes një mesazhi në telefon. Ata do të kenë mundësi të konsultojnë detyrimet e tyre, t’i paguajnë drejtpërdrejt online dhe të paraqesin ankesa në mënyrë elektronike. Sipas kryeministrit Edi Rama, sistemi i ri synon t’i japë fund praktikës së vendosjes së gjobave në letër, duke kaluar në një proces tërësisht të digjitalizuar.
“ Nuk ka më një proces gjobitjeje pa gjurmueshmëri. Garantohet një rrjedhë e njëjtë, një numër unik, bazë ligjore e qartë për të gjithë dhe identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjobat”, deklaroi Rama. Të gjitha gjobat do të regjistrohen në një bazë të përbashkët të dhënash dhe do të kategorizohen sipas statusit të tyre: aktive, të paguara apo të ankimuara. Kjo do t’u mundësojë institucioneve dhe Inspektoratit të Përgjithshëm të monitorojnë procesin, si dhe të identifikojnë punonjësit përgjegjës për vendosjen e çdo gjobe.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se faza e ardhshme do të jetë krijimi i Regjistrit Kombëtar të Gjobave, i cili do të konsolidojë të dhënat në një sistem të vetëm. Një tjetër projekt që pritet të nisë së shpejti është pajisja e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe inspektorëve në terren me kamera trupi. Sipas Ramës, kamerat do të jenë aktive gjatë ushtrimit të detyrës dhe do të integrohen me sistemin e inteligjencës artificiale në qendrën e monitorimit.
Përmes këtij mekanizmi synohet të ndiqet në kohë reale aktiviteti i punonjësve në terren, sjellja e tyre në raport me qytetarët, si dhe parametrat e tjerë të punës, përfshirë lëvizjet dhe shpenzimet e karburantit. Rama u kërkoi institucioneve që të përshpejtojnë zbatimin e sistemit të ri dhe të mos përdorin si justifikim mungesën e pajisjeve apo problematikat teknike. Ai kërkoi gjithashtu që çdo mangësi të raportohet menjëherë, në mënyrë që të sigurohet mbështetja teknike dhe logjistike për funksionimin e plotë të sistemit.







