Mbi 36 mijë fermerë kanë hyrë në procesin e përfitimit të mbështetjes financiare nga Skema Kombëtare e Bujqësisë 2026. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka autorizuar pagesat për përfituesit, ndërsa transferimi i fondeve drejt llogarive bankare të fermerëve vijon. Skema e këtij viti ka një fond fillestar prej 5.2 miliardë lekësh, i cili do të shpërndahet përmes 12 masave mbështetëse. Megjithatë, kërkesa totale e fermerëve ka arritur në 7.2 miliardë lekë, duke tejkaluar me 2 miliardë lekë fondin e parashikuar.
Nëntë nga masat parashikojnë pagesa të drejtpërdrejta për fermerët, ndërsa tri të tjera janë të orientuara drejt financimit të investimeve në sektorin bujqësor.
Interesi për mbështetjen financiare është reflektuar edhe në numrin e aplikimeve. Gjatë vitit 2026 janë regjistruar gjithsej 42,728 kërkesa në të gjithë vendin. Qarku i Fierit kryeson për numrin e aplikimeve, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Vlora, zona që kanë një peshë të rëndësishme në prodhimin bujqësor dhe blegtoral të vendit.
Masat e skemës mbulojnë një gamë të gjerë aktivitetesh, përfshirë blegtorinë, bletarinë, fermat organike, kontrollin biologjik, certifikimin GlobalG.A.P., sipërfaqet e mbjella dhe sektorin e peshkimit. Interesi më i lartë i fermerëve është regjistruar për mbështetjen e tufës bazë të të imtave, bletarisë, me 7,016 aplikime, si dhe tufës bazë të gjedhit.
Përveç pagesave direkte, skema parashikon mbështetje edhe për fermerët e rinj, ndërtimin e staneve dhe mekanizimin bujqësor. Këto masa synojnë të nxisin modernizimin e fermave, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së bujqësisë shqiptare. Sipas AZHBR-së, procesi i autorizimit të pagesave vijon, ndërsa fondet po transferohen gradualisht në llogaritë bankare të fermerëve përfitues.







