Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve (EIB), prezantoi draftin përfundimtar të Taksonomisë Kombëtare të Gjelbër, një kuadër që synon të përcaktojë dhe klasifikojë aktivitetet ekonomike sipas kontributit të tyre në objektivat mjedisorë dhe klimatikë.
Taksonomia u prezantua këtë të enjte, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, në kuadër të Programit të Asistencës Teknike për Sistemet Financiare të Gjelbra. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve anëtare të Grupit Ndërinstitucional të Punës për Taksonominë e Gjelbër, bankave tregtare dhe ekspertë teknikë. Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, e cilësoi përfundimin e procesit një hap të rëndësishëm, duke theksuar se Taksonomia e Gjelbër nuk duhet parë vetëm si një çështje reputacionale, por si një instrument që do të ndikojë në mënyrën se si kapitali do të orientohet drejt ekonomisë.
Sipas saj, ndryshimet klimatike dhe forcimi i kuadrit rregullator evropian po sjellin kërkesa të reja edhe për Shqipërinë, veçanërisht në kushtet e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Një rol të rëndësishëm në këtë transformim do të ketë sektori bankar. Bankat pritet të përfshijnë gjithnjë e më shumë kriteret mjedisore dhe klimatike në vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut, duke ndryshuar edhe mënyrën e kreditimit. Në këtë qasje, një aktivitet ekonomik nuk do të vlerësohet vetëm për rezultatet financiare, por edhe për mënyrën se si krijohen këto rezultate dhe ndikimin që aktiviteti ka në qëndrueshmërinë e ekonomisë.
Financa e gjelbër pritet të ndikojë gjithashtu në produktet që ofrojnë bankat, ndërsa bizneset do të duhet të përshtatin modelet e tyre të funksionimit dhe teknologjitë me kërkesat e reja të qëndrueshmërisë. Përfaqësuesi i Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri, Alessandro de Concini, tha se ky proces përbën një hap të rëndësishëm për zhvillimin e tregut të kapitalit, tërheqjen e investimeve dhe kthimin e kreditimit të gjelbër në pjesë të praktikës së zakonshme të biznesit.
Taksonomia, sipas tij, e afron më tej Shqipërinë me standardet e tregut evropian, duke mbështetur dekarbonizimin, konkurrueshmërinë dhe rritjen e rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike. Drafti i tretë dhe përfundimtar i Taksonomisë Kombëtare të Gjelbër përfshin kuadrin e përgjithshëm të taksonomisë, kriteret teknike të shqyrtimit dhe përshtatjet legjislative.Përfundimi i këtij procesi krijon një bazë më të qartë për orientimin e investimeve dhe financimeve drejt aktiviteteve ekonomike që kontribuojnë në objektivat mjedisorë dhe klimatikë.








