Në vitet e fundit, Vlora është shndërruar në një nga qarqet me përqendrimin më të madh të investimeve publike në vend.
Rrugët e reja, tunelet, shëtitoret, ujësjellësit, kanalizimet, rrjetet elektrike dhe infrastruktura mbështetëse për turizmin janë pjesë e mbështetjes për 20 projektet strategjike që u miratuan në këtë qark në fushën e turizmit.
Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike tregojnë se 20 investitorët strategjikë në sektorin e turizmit në Qarkun e Vlorës morën rreth 1000 hektarë tokë shtetërore me koncesion ose me çmimin simbolik 1 euro, në zonat më të bukura të Rivierës së Jugut.
Të dhënat nga agjencitë e pasurive të paluajtshme tregojnë se tokat që prekin bregun e detit kanë një çmim mesatar prej 300 eurosh për metër katror. Vlera e tokës shtetërore të vënë në dispozicion të resorteve i kalon 3 miliardë eurot, ndërkohë që qindra milionë euro u investuan nga buxheti i shtetit dhe taksapaguesit.
Gjatë periudhës 2016–2025, qeveria financoi nga buxheti i shtetit 1,1 miliardë euro për infrastrukturën mbështetëse të investimeve strategjike, si ujësjellës, kanalizime, linja energjie, rrugë dhe projekte të Rilindjes Urbane, nga rreth 1.5 miliardë euro investime totale për qarkun në këtë periudhë.
Shpenzimet e drejtpërdrejta publike, në formën e tokës dhe të investimeve nga buxheti në Qarkun e Vlorës që u shërbejnë investimeve strategjike, tejkalojnë 4 miliardë euro. Ndërsa vlera e investimeve të premtuara nga investitorët strategjikë, duke përfshirë edhe projektin e Sazanit në Vlorë, është 2,4 miliardë euro, teksa premtohet hapja e 7194 vendeve të punës. Bazuar vetëm në dokumentet pa analizuar ecurinë në realitet të këtyre projekteve, investitorët strategjike në këtë qark kanë përfituar më shumë asete publike se sa vlera e investimeve që ato kanë deklaruar në planet e tyre të biznesit.
Dhjetë vjet pasi investimi i parë strategjik në zonën e Palasës mori lejen, shihet se ajo që shteti ka vënë në dispozicion ka qenë më e lartë se përfitimet që pati ekonomia kombëtare dhe, sidomos, ajo lokale.








