Arbitrat kanë vendosur të mos zbresin më në fushën e lojës. Është ky vendimi që ka marrë Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar. Arbitrat deklarojnë se ndihen të pasigurtë për të ushtruar profesionin e tyre.
“Ne kemi vendosur të mos luajmë me jetën tonë. Kështu nuk do të kthehemi për të gjykuar, deri sa të ndjehemi të sigurtë dhe Policia e Shtetit të kthehet në stadiume dhe autorët e dhunës të ndëshkohen”, theksohet në reagimin zyrtar të Shoqatës së Arbitrave.
Reagimi i plotë i Shoqatës Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar:
Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar e tronditur pas ngjarjes së dhunës ekstreme ushtruar ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti në Kamëz, ka marrë sot vendimin e saj për të bojkotuar ndeshjet e futbollit në nivel kombëtar.
Duke parë që nga java e parë e kampionatit dhe deri në të fundit ne ndjehemi të pasigurtë, sot ne vendosëm të themi: Mjaf! Mjaft më me kërcënime, fyrje e sharje. Mjaftdhe kjo është shumë më serioze dhe e rrezikshme) me dhunë e ç’është më e rëndësishmja, mjaft më me pasiguri për jetën. Njëzëri arbitrat mendojnë se eksperimenti i deritanishëm për largimin e Policisë së Shtetit nga stadiumet e futbollit ka dështuar.
Zëvëndësimi i tyre me polici private është një dështim tjetër tashmë i konsumuar. Ashtu siç nuk kemi se ç’të presim më edhe nga eksperimenti tjetër i zbatimit të ligjit, i cili ka dështuar plotësisht, përderisa autorët e dhunës janë liruar sot, edhe se pamjet filmike janë shumë të qarta dhe media ka katër ditë qe e ka në qëndër të vëmëndjes këtë ngjarje.
I kërkojmë klubeve anëtare në FSHF të na mirëkuptojnë dhe të na mbështesin në vendimin që ne kemi marrë, kjo sepse vendimi që ne kemi marrë është e vetmja rrugë që gara të jetë sa më e vërtetë dhe korrekte. Mjaft u eksperimentua.
Ne kemi vendosur të mos luajmë me jetën tonë. Kështu nuk do të kthehemi për të gjykuar, deri sa të ndjehemi të sigurtë dhe Policia e Shtetit të kthehet në stadiume dhe autorët e dhunës të ndëshkohen.