Bizneset në Shqipëri do të duhet të pajisen me certifikatë për Kodin e Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE), ndërsa mosdepozitimi i saj brenda afatit ligjor prej 30 ditësh mund të sjellë pezullimin automatik të subjektit.
Sipas ndryshimeve, Kodi NVE do të shërbejë si referenca zyrtare administrative për përcaktimin e veprimtarisë kryesore dhe veprimtarive të tjera të biznesit. Identifikimi, verifikimi, certifikimi dhe përditësimi i këtij kodi do të kryhen nga Dhoma Ekonomike Kombëtare, pavarësisht nëse subjekti është anëtar i saj apo jo. Për bizneset e reja, certifikimi i Kodit NVE nuk do të jetë kusht paraprak për regjistrimin fillestar dhe pajisjen me NIPT. Megjithatë, subjektet do të kenë 30 ditë kalendarike nga data e regjistrimit për të ngarkuar certifikatën në portalin e-Albania dhe për të korrigjuar çdo mospërputhje në të dhënat e deklaruara.
Në rast se dokumenti nuk depozitohet brenda këtij afati, Qendra Kombëtare e Biznesit do të kalojë automatikisht subjektin në statusin “i pezulluar”, i cili do të mbetet në fuqi deri në dorëzimin e certifikatës. Edhe bizneset ekzistuese që nuk janë certifikuar më parë do t’i nënshtrohen një procesi të posaçëm, me procedura dhe afate që do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Detyrimi nuk përfundon me certifikimin fillestar. Bizneset duhet ta përditësojnë dhe konfirmojnë Kodin NVE çdo vit, duke paraqitur certifikatën e re brenda 30 ditëve kalendarike nga përfundimi i vlefshmërisë njëvjeçare të certifikatës së mëparshme. Mosrespektimi i këtij detyrimi përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet nga QKB-ja. Në rast ndryshimi të objektit të veprimtarisë, certifikata e re duhet të depozitohet brenda 30 ditëve nga lëshimi i saj.
Një tjetër ndryshim lidhet me identifikimin e vendndodhjes së bizneseve. Të dhënat e regjistrimit do të përfshijnë edhe koordinatat gjeografike GPS, për të përcaktuar më saktë vendin ku ushtrohet aktiviteti ekonomik. Ligji parashikon gjithashtu kalimin e mëtejshëm të procedurave në format elektronik. Regjistrimi fillestar dhe ndryshimet për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, shoqëritë aksionare, shoqëritë komandite dhe degët e tyre do të mund të kryhen plotësisht përmes portalit e-Albania, pa paraqitje fizike pranë QKB-së. Përjashtim bëjnë rastet kur prania fizike kërkohet për arsye të justifikuara, si verifikimi i identitetit apo i kompetencës për përfaqësim.
Ndryshime ka edhe për depozitimin e pasqyrave financiare. Personat fizikë duhet t’i dorëzojnë ato pranë QKB-së deri më 30 prill të vitit pasardhës, ndërsa personat juridikë deri më 30 qershor. Dokumentet do të depozitohen në formë elektronike dhe të dhënat do të shkëmbehen automatikisht me administratën tatimore. Pasqyrat e dorëzuara në QKB do të konsiderohen burim zyrtar i të dhënave financiare dhe nuk do të jetë e nevojshme të riparaqiten pranë tatimeve. Ligji synon gjithashtu përafrimin e kuadrit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Europian, përmes ndërlidhjes së regjistrit tregtar me sistemin europian të regjistrave dhe krijimit të një identifikuesi unik europian për subjektet e regjistruara.







