Bizneset do të kenë një bashkëpunim të ri institucional për regjistrimet, ndryshimet e të dhënave dhe informacionin mbi detyrimet ligjore. Dhoma Ekonomike Kombëtare do të përfshihet në funksionet e Qendrës Kombëtare të Biznesit, duke marrë akses edhe në disa prej regjistrave kryesorë që administrohen prej saj. Kjo parashikohet në ndryshimet e miratuara në ligjin për Qendrën Kombëtare të Biznesit, të cilat përcaktojnë një rol të ri për Dhomën Ekonomike Kombëtare. Sipas ligjit, Dhoma do të angazhohet në identifikimin, verifikimin, certifikimin dhe përditësimin e Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike, si dhe në informimin dhe këshillimin e subjekteve për procedurat e regjistrimit tregtar.
Ajo do të ketë gjithashtu akses si përdoruese në regjistrin tregtar, atë të licencave dhe autorizimeve, si dhe në regjistrin e pronarëve përfitues, duke iu nënshtruar rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e informacionit. Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e ofrimit të shërbimeve. QKB-ja do t’i ushtrojë funksionet drejtpërdrejt për publikun përmes portalit e-Albania, ndërsa ligji shfuqizon parashikimet për sportelet fizike të shërbimit. Ndërkohë, në kuadër të përafrimit me legjislacionin europian, parashikohet edhe ndërlidhja e regjistrave tregtarë shqiptarë me ata të vendeve të BE-së, përmes shkëmbimit automatik të informacionit. Këto të fundit do të hyjnë në fuqi me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.







