Kamatëvonesat për detyrimet doganore të papaguara nuk do të mund të tejkalojnë më vlerën e borxhit, ndërsa ndryshime parashikohen edhe në kriteret e vendosjes së gjobave për shkeljet doganore. Këto janë disa nga ndërhyrjet kryesore që parashikon projektligji për ndryshimin e Kodit Doganor, i cili ka mbërritur në Kuvend për shqyrtim dhe miratim. Një nga ndryshimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë financiar për bizneset lidhet me kufizimin e kamatëvonesave. Sipas projektligjit, shuma e tyre nuk mund të jetë më e lartë se detyrimi doganor për të cilin llogariten. Kështu, nëse një subjekt ka një borxh prej 1 milion lekësh, edhe kamatëvonesat e akumuluara nuk mund të tejkalojnë këtë shumë. Kufiri i ri do të zbatohet për vendimet e marra nga autoritetet doganore pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Ndërhyrje parashikohen edhe në sistemin e gjobave. Projektligji qartëson rastet kur zbatohen sanksionet fikse dhe ato që llogariten në raport me detyrimet e papaguara. Sipas parashikimeve aktuale, gjobat fikse variojnë nga 20 mijë deri në 1 milion lekë, në varësi të natyrës së shkeljes dhe nëse ajo është kryer nga neglizhenca apo me dashje. Ndërsa kur shkelja shkakton detyrime doganore të papaguara, gjoba mund të arrijë deri në trefishin e shumës së munguar.
Një tjetër ndryshim lidhet me klasifikimin e kundërvajtjeve. Projektligji heq nga kategoria e shkeljeve të kryera me dashje dy raste që kanë të bëjnë me mosrespektimin e detyrimeve të përcaktuara në një vendim doganor dhe mosnjoftimin e autoriteteve për rrethana të reja. Këto veprime do të vijojnë të trajtohen në kuadër të kundërvajtjeve të kryera në neglizhencë.
Përveç gjobave monetare, administrata doganore do të ketë mundësi të pezullojë, ndryshojë apo revokojë autorizimet e operatorëve ekonomikë që shkelin legjislacionin doganor. Masat mund të aplikohen veçmas ose njëkohësisht. Projektligji zgjeron gjithashtu të drejtën e ankimit ndaj vendimeve doganore. Çdo person që preket drejtpërdrejt dhe individualisht nga një vendim i administratës do të mund ta kundërshtojë atë, përfshirë rastet kur nuk merr përgjigje për një aplikim brenda afatit ligjor.
Afati për ankimin administrativ pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave mbetet 15 ditë, ndërsa për shqyrtimin e ankimit parashikohen 30 ditë. Në rastet kur vendimi merret nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, parashikohet mundësia e ankimit në gjykatë brenda 45 ditëve. Ndryshimet synojnë të riformulojnë kuadrin e përgjegjësive dhe sanksioneve doganore, duke përcaktuar më qartë detyrimet e bizneseve dhe të drejtat e tyre përballë administratës doganore.







