Premtimi publik i kryeministrit Edi Rama për të paditur gjithkënd që shpif ndaj tij apo ekipit qeverisës mund të konsiderohet një premtim i mbajtur. Të paktën 15 padi të firmosura nga Edi Rama, janë depozituar në Gjykatën e Tiranës nga nëntori i vitit 2018 e në vijim, ku të paditur janë kundërshtarët e tij politike.
A2CNN zbardh ekskluzivisht paditë kryeministrore, përmes të cilave Rama synon të dëmshpërblehet në shumën e 17 milionë lekëve në total.
Lista e të paditurve kryesohet nga ish-kryeministri Sali Berisha. Në shtatë padi kundër tij Rama pretendon deklarata të pavërteta të pohuara nga ish-kryeministri në studio televizive apo në rrjetet sociale.
Në padinë e datës 9 nëntor 2018, Rama kërkon 23 mijë USD dëmshpërblim nga Berisha, ndërsa në 6 paditë e tjera nga 1 milionë lekë secila. Në disa prej tyre, Rama i kërkon gjykatës të detyrojë ish-kryeministrin të përgënjeshtrojë deklaratat në faqen e tij në Facebook, si edhe në mediat që i kanë përcjellë.
Pas Berishës, në listën e të dërguarve ne gjyq nga Rama vjen kryeopozitari Lulzim Basha. Në tre padi kundër tij, Rama kërkon nga 1 milionë lekë dhe përgënjeshtrimin e thënieve të konsideruara si shpifje.
https://twitter.com/ediramaal/status/1101780720488513536
Referuar të dhënave të siguruara nga A2CNN Rama nuk është kufizuar vetëm tek dy figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike. Të paditur prej tij janë edhe Albana Vokshi, Jorida Tabaku, Arben Imami dhe Petrit Vasili, për deklarata të tyre në Facebook apo në studio televizive, të cilëve po ashtu kërkohet nga 1 milion lekë dëmshpërblim.
Kryeministri nuk ka kursyer as gazetarët. Në morinë e të paditurve gjendet edhe gazetari Ylli Rakipi për një shkrim të publikuar prej tij në nëntor 2018.
Deri më tani në Gjykatën e Tiranës janë zhvilluar vetëm seancat përgatitore në lidhje me këto padi.
Në postimin në Twitter të këtij mëngjesi, kryeministri i referohet 17 padive, ndërkohë që në gjykatë rezultojnë deri tani 15 të regjistruara. Gjithsesi paditë e mbetura mund të jenë në proces, dhe ende nuk janë futur në ingranazhet e gjykatës.
Marre nga: A2 CNN