Ditën e sotme policia e Bulqizës ka arrestuar dy persona babë e bir dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas informacioneve ata janë konfliktuar me një tjetër person dhe kanë kundërshtuar me dhunë policët që kanë ndërhyrë për të shuar sherrin.
Të arrestuarit janë L. G., 61 vjeç dhe djalit të tij A. G. 31 vjeç, si dhe u shpall në kërkim 29-vjecari A. G., djali tjetër i 61-vjeçarit, për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
U konfliktuan fizikisht me një shtetas, kundërshtuan me dhunë punonjësit e policisë, vihen në pranga babë e bir.
Shpallet në kërkim edhe djali tjetër që ndërhyri për të penguar punonjësit e Policisë me qëllim mosshoqërimin e babait dhe të vëllait.
Në orët e vona të mbrëmjes në Qytetin e Ri, Bulqizë, si pasojë një konflikti të çastit janë konfliktuar me njëri-tjetrin tre shtetas.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, si dhe kanë bërë shoqërimin për në Komisariat të personave të përfshirë në konflikt.
Në momentet e shoqërimit të shtetasve L. G., 61 vjeç dhe djalit të tij A. G., 31 vjeç, ka ndërhyrë 29-vjeçari A. G. (djali tjetër i shtetasit L. G.) duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë.
Në ndihmë të patrullës kanë ardhur shërbime të tjera të Komisariatit të Policisë. 29-vjeçari A. G. duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet, ndërsa dy shtetasit e tjerë, babë e bir, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë për veprime të mëtejshme.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve L. G., 61 vjeç dhe djalit të tij shtetasit A. G. 31 vjeç, si dhe u shpall në kërkim 29-vjecari A. G., për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim.