Kuvendi ka miratuar dje me shumicë votash projektbuxhetin e shtetit për vitin 2020, me 90 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenim.
Në një shkrim në rrjetet sociale, gazetarja Edlira Gjoni është ndalur tek miratimi i buxhetit si dhe tek paketa Anti-Shpifje. Gjoni shkruan se është e shokuar me miratimin e këtij projekt buxheti dhe se në të është kaluar një shifër marramendëse pa diskutim real dhe jo propagandistik.
Ndërkohë Gjoni nuk ka nguruar që të komentojë edhe miratimin për ligjin “Anti-Shpifje”, ku shkruan se janë 14 mijë persona të pastrehë dhe parlamenti nuk ka shqyrtuar thuajse asgjë.
Postimi i plotë
E shokuar! Sapo pashë të miratuar në kuvend dhe nuk e tres dot absurditetin e përqasjes sonë ndaj buxhetit.
– Ulje për investimet publike
– Ulje për shpenzimet kapitale
– Asnjë rritje pagash, ama rritje miliardëshe te shpenzimet për pagat (dieta, bonuse dhe punonjës të rinj?)
– Rritje në shpenzimet për interesat
– Tumnajë zërash në arsim e shëndetësi
– Tymnajë në zërat infrastrukturë e energji.
Si mund të kalohen shifra marramendëse pa diskutim real e jo-propagandistik?
Kalon buxheti me qetësinë më të madhe! Elefanti para syve në mes të dhomës, e ne ankohemi pse dhomën e kemi me tërmet e me miza?
Nuk kam përjetuar ditë më të çuditshme se kjo në vendin tim:
– Ndërkohë që vendi është në gjendje të jashtëzakonshme, ky parlament nuk shqyrton dot ASGJË për pothuajse 14 mijë të pastrehët e vendit. Data, shifra, afate, fillim punimesh, në fshat e në qytet. Jo!
– Por i del koha të kalojë një paketë anti-shprehje, e me të të paralizojë Shqipërinë gjithë ditën.
– Ndërkohë, kalon elefanti nga vrima e gjilpërës, me qetësinë më të madhe: Miratohet një buxhet skandaloz ku nuk ka as rritje pagash, as pensionesh, as shërbimesh e shpenzimesh publike.
– Asnjë pipëtimë në sheshin e burrave e grave të kombit se ç’do të thotë ky buxhet për ne apo për ata që tërmeti i përuli, e që në emër të tyre, po bëhen mëkate.
– Në mes të kësaj katrahure të një dite të vetme, gjykatat shqiptare dënojnë me burg një ish-deputet të PD-së për kallëzim të rremë. Pa të drejtë ankimimi. Po kjo lloj drejtësie, që është gjoja duke kërcyer mbi zjarrin e ndezur të reformës, dënoi me punë në komunitet një ish-ministër, gjatë kohës së të cilit, sytë t’i hidhje maleve, nuk shihje gurë e dru, por hashash e tërbim!Të gjitha këto brenda një dite!
Çmenduri!
Në kuadër të ligjit të sapo-miratuar të anti-shprehjes, a është vepër penale propaganda? Gënjeshtra e tjetërsimi i vëmendjes publike me dashje, me strategji e dashakeqësi?
Burg, buxhet, agjitacion e propagandë në një ditë të vetme, ndërkohë që 14 mijë njerëz të flenë baltërave? E në emër të tyre bën bullizëm, potere, lypësi, por ama asnjë, po asnjë vendim të qartë, të hapur, me datë e me shifra, e të formës së prerë?
Gjendja e jashtëzakonshme është për tekat e politikës, apo për fatkeqësinë e tërmetit?
Kur gjendet urgjenca të merren këto vendime në një ditë, si nuk u gjendka mundësia të veprohet për të filluar ndërtimin e shtëpive për njerëzit që fshatrave e kodrave flenë në baltë?
Janë me sytë nga rruga, duke pritur se kur vëmendja do të vijë edhe tek ata. Se kjo gjendje e jashtëzakonshme, në emër të tyre u shpall.
Apo…?