Një rast tronditës është raportuar në institucionet mjekësore në Kosovë në verën e këtij viti. Një 6 vjeçare nga rajoni i Prishtinës dyshohet se ka qenë viktimë e dhunës seksuale nga babai i saj që e kishte abuzuar seksualisht edhe me vajzën tjetër kur ajo ishte në moshë të mitur. Instituti i Mjekësisë Ligjore bënë me dije se mbi 100 raste nga mosha 11 e deri në 16 vjeç janë ekzaminuar vetëm këtë vit për shkak të dyshimeve se janë abuzuar seksualisht, shkruan Gazeta Express.
Në verën e këtij viti, në njërën nga klinikat e QKUK’së një vajzë gjashtë vjeçare nga rajoni i Prishtinës kishte kërkuar ndihmë mjekësore. Mjekët gjatë kontrollit që ia kishin bërë kishin vërejtur shenja të dhunës fizike, psikologjike e seksuale që ishte ushtruar ndaj saj.
Pas kontrollit të 6-vjeçares ishte njoftuar Instituti i Mjekësisë Ligjore me paralajmërimin se e mitura mund të ishte abuzuar seksualisht. Menjëherë pas kësaj, profesionistët e IML, kishin nisur kontrollet ndaj vajzës së mitur.
Krimi që ishte kryer në të për vite me radhë kishte qenë i rëndë. Ai ishte bërë pikërisht nga babai i saj i cili dyshohet se seksualisht kishte abuzuar me vajzën e tij të mitur. Kjo gjashtë vjeçare është viktima me moshën më të re të abuzimit seksual të paraqitur në organet e hetuesisë kosovare por edhe tek stafi mjekësor që ka ndodhur gjatë këtij viti.
Detaje të frikshme për këtë rast të rëndë, por edhe për rastet e tjera të paraqitura e të ekzaminuara nga ana e mjekëve ligjor në Kosovë, ka dhënë për Gazetën Express Bergita Curri, specialiste në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Derisa po shpjegonte për rastet e abuzimeve seksuale të cilat mjekët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë i trajtojnë, Curri ka sqaruar se rasti i viktimës në fjalë (gjashtë vjeçares), ishte paraqitur nga motra e saj e moshës madhore. Ajo kishte raportuar se po dyshonte që prindi i saj po abuzonte seksualisht me motrën e mitur.
“Këtë vit ka qenë një vajzë diku 6-vjeçare. Ajo ka qenë motra e një vajze tjetër. Dhunuesi ka qenë i vjetër, prindi. Viktima ka qenë motra e një vajze tjetër, e martuar tash e cila edhe ajo kishte qenë viktimë e abuzimit seksual”, ka treguar për këtë rast të rëndë specialistja në Mjekësinë Ligjore të Kosovës.
Ajo ka deklaruar se brenda këtij viti janë më shumë 100 raste të abuzimit seksual, kryesisht vajza të mitura të cilat kanë kryer ekzaminime në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Kosovë. Mosha mesatare e tyre sillet nga 11 e deri në 16 vjeçare.
“Ka inceste, zakonisht mosha e vogla, janë viktima të dhunës seksuale nga prindërit e tyre, ose anëtarët e familjes, të cilët deklarojnë se me vite të tëra janë abuzu seksualisht nga anëtarët e familjes. Çdo vit ka raste të raportuar të incestit brenda familjes”, thotë ajo.
Curri shpjegon se mosha më e re e abuzimit seksual që mjekët ligjor kosovarë e kanë trajtuar ka qenë një vajzë e moshës 3-vjeçare.
Bergita Curri, specialiste në Institutin e Mjekësisë Ligjore, shpjegon edhe për traumat me të cilat ballafaqohen këto viktima të abuzimit.
“Traumat tek fëmijët janë shumë të mëdha, ato lenë gjurmë edhe në personalitet. Traumat janë shumë të forta, kalohen vite të tëra duke tentu me e tejkalua e me u rikuperu nga ajo ngjarje”, sqaron ajo.
E me gjithë këtë raste, merret edhe policia e Kosovës. Zëdhënësi Baki Kelani tha për Express se në rastet kur raportohet dhuna seksuale, intervistohen viktimat dhe më pas ato dërgohen në institucione gjegjëse varësisht nga nevoja e trajtimit, për të vazhduar me procedurat.
“Kjo shkon përmes sistemit referues në nivel nacional dhe ky dokument ndan rolet dhe përgjegjësitë e secilit institucion si në aspektin e identifikimit, ndihmës së parë dhe mbrojtjes, ndihmës së mëtutjeshme dhe përfshirjes sociale, kthimit apo ri-integrimit të ndihmuar vullnetar si dhe procedura penale dhe civile”, tha Kelani për Express.
E Kosova para një viti u trondit nga rasti i abuzimit seksual i vajzës nga Drenasi dhuna ndaj raportohet të ketë filluar kur ajo ka qenë vetëm 16 vjeç, fillimisht nga profesori i saj. Pas denoncimit në polici nga viktima, edhe hetuesi policor kishte abuzuar seksualisht me të. Ndërkaq një hetim është ngritur edhe ndaj avokatit të saj, nën dyshimet për abuzim seksual ndaj kësaj viktime.
Të dhëna shqetësuese ishin prezantuar edhe te rastet e pedofilisë. Gjatë dy vjetëve të kaluara, në Kosovë janë shënuar 123 raste të ngacmimeve, keqtrajtimeve apo abuzimeve me fëmijë, që njihen edhe si raste të pedofilisë.
Sipas Policisë së Kosovës, në vitin 2017, në polici janë paraqitur si raste të pedofilisë gjithsej 62 raste, kurse në vitin 2018, janë paraqitur 61 raste të tilla.