Kreu i Unionit të Gazetarëve të Fierit, Vladimir Muça, tejet aktiv në jetën profesionale me lajmet lokale që raporton në çdo kohë nga qyteti i tij, ka dalë të blejë një paketë cigare por ka përfunduar në paraburgim.
Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë dhe arsyet sipas rrëfimit që gazetari ka bërë ekskluzivisht për newsbomb.al, janë banale.
Ladi, siç e njohin dhe i thërrasin miqtë e kolegët, ka zbritur poshtë shtëpisë për të blerë paketën e cigareve kur ka parë një grup policësh teksa bisedonin me të zotin e një lokali në Fier lidhur me muzikën e lartë.
Si njeri paqësor, ai është afruar dhe ka tentuar të qetësojë situatën duke i thënë të zotit të lokalit të ulë pak muzikën por pak më vonë, një grup policësh është kthyer sërish dhe gazetari, siç pretendon, është tërhequr zvarrë dhe brutalisht në polici. Ai rrëfen detaj pas detaji, gjithçfarë ka ndodhur atë mesnatë, teksa në shtëpi e priste bashkëshortja.
“Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë. Unë kam dalë nga shtëpia rreth orës 11:30 të natës, isha duke punuar një material si dhe isha në komunikim me tim bir që ishte jashtë shtetit për merak prindëror. Kam dalë për të blerë një paketë cigare në një non stop. Pasi kam marrë paketën, përballë meje, ishin dy policë duke biseduar me një pronar lokali, që në fakt e ka me qera në përdorim atë lokal, për muzikën e lartë.
Unë, duke qenë në rrafsh njohje si me pronarin që e kam gjiton, ashtu edhe me punonjësit e policisë, sepse normalisht, si gazetar, këtu në Fier më njohin të gjithë, i them qeraxhiut uljani zërin muzikës se këta s’kanë ardhur me qëllim të keq. Në këtë bisedë që nuk ka zgjatur më shumë se 3 minuta, patrulla u largua, dhe mua, për kortezi, më ftoi për një kafe i zoti i lokalit. E refuzova se kisha lënë telefonin në karikim dhe derën e shtëpisë hapur pasi siç thashë, kisha dalë thjesht për të blerë një paketë cigare. Polici që u largua i tha se nëse do ketë sërish ngritje muzike do ktheheshin sërish.
Për të respektuar ftesën e të zotit të lokalit, mora një ujë dhe u ula në ambientet e jashtme të lokalit. Hapa paketën e ndeza cigaren. Një miku im, në ambientet e brendshme të lokalit ku po festohej një ditëlindje, me 10 veta dhe një dj. Më pa dhe më ftoi brenda. Nuk iu bashkova se e kisha kohën e kufizuar. Në ato momente vjen patrulla tjetër duke u afruar brenda.
I thashë jam dhe unë këtu do u them një fjalë. Përgjegjësi i patrullës, i drejtohet të zotit të lokalit: hajde nxirri jashtë këta, mos i heq unë zvarrë!
Unë, duke shfrytëzuar edhe njohjen, me dashamirësi i them: O shef pse me kaq arrogancë?!
“Kush je ti të tërheq dhe ty zvarrë”, m’u kthye ai.
Në këto kushte mu shfaq institkti i gazetarit dhe qytetarit dhe debatuam verbalisht.
I thashë: Më merr të keqen si dhe një fjalë banale, unë e kam thënë. Zotëria harroi për cfarë kishte ardhur dhe dha urdhër të më merrnin. Më morën zvarrë brutalisht në polici. Më kanë futur brenda, më ka ardhur ky zotëria, duke më treguar gishtin: Unë kam kapelen po di cfarë të bëj. Dha urdhër të mbahesha 10 orë brenda.
Po bënte rrugacin në ambientet e policisë. I thashë zotëri më ke ngritur dhe më ke sjellë këtu respekto gjuhën se je në zyrat e shtetit.
Më ka fyer duke më thënë pijanec dhe ordiner në momentin që po më hiqnin rripin e pantallonave dhe lidhëset e këpucëve. Cudi e madhe nuk e di ku ma mati pijen kur unë isha në hallet e mia në punët e mia. Më rrasën brenda, më mbajtën aty. Nuk mu dha mundësia të flisja me familjen, se isha dhe pa celular. Lashë bashkëshorten në shtëpi.
Kam ngelur tërë natën aty dhe të nesërmen rreth orës 10 se duhej të vinte prokurori i gatshëm, sipas formaliteteve juridike. Ata bënë deklarimet e tyre sigurisht duke më rënduar mua, më nxorrën nga 17 nene që kisha shkelur. Morën dhe deklarimin tim, unë tregova gjithë situatën si ndodhi. Drejtori i policisë së Fierit atë natë ka qenë në ambientet e drejtorisë, ai e ka parë situatën por nuk është ky objekti i shqetësimit tim”, rrëfen gazetari për newsbomb.al ndërsa zbulon edhe se i ka shkruar ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, sapo ka dalë nga ambientet e policisë.
“Kur kam dalë nga ambientet e drejtorisë së policisë, kontakti i parë ka qenë me ministrin e rendit zotin Lleshaj. I kam shkruar shqetësimin tim në whats app. Mesazhi është i ruajtur nga ana ime.
10 minuta pas këtij komunikimi, ministri mesa duket, ia ka deleguar mesazhin shefit të SHCBA në ministri, dhe unë e kam falenderuar për këtë, zotit Muhamet Rrumbullaku i cili më ka marrë në telefon. I kam sqaruar gjithë situatën dhe ky i fundit tregoi gadishmëri të më priste në zyrë. Unë në zyrën e tij shkova disa ditë më vonë për arsye se të nesërmen më duhej të ikja me disa kolegë gazetarë në një trajnim në Como të Italisë.
Pasi u ktheva, shkova në zyrën e Rrumbullakut ku i dhashë detajet e këtij skandali. Janë mbajtur deklarimet nga vartësit e tij dhe unë jam larguar.
Në këtë hark kohor, cështja në fjalë ka kaluar në Prokurorinë e Fierit, ndërkohë nga SHÇBA-ja, policët e asaj nate janë në hetim për fyerje të standardeve. Unë kam shkresën që më ka ardhur nga drejtori i SHÇBA-së.
Më tej, gazetari e cilëson të gjithë këtë, “pengmarrje” nga ana e policisë së shtetit.
“Jam konsultuar me avokatë me juristë duke shpjeguar me detaje të gjithë situatën dhe ma kanë cilësuar si një lloj pengmarrjeje. Pra atë natë unë jam marrë peng nga Policia e Fierit. Dhe në gjykimin tim, unë jam marrë peng atë natë. Para dy javësh, për kortezi dhe për imazhin që kam në Fier se jam kryetar i Unionit të Gazetarëve dhe gazetar aktiv në Fier, i kam kërkuar takim drejtorit të policisë së Fierit dhe më ka pritur në zyrë pa bërë gjithë këtë ekspoze. Por ajo që më ka bërë shumë përshtypje ishte reagimi i tij. Në mënyrë tangente po të them qendrimin e tij: E di këtë ngjarje, po unë nuk i njoh me emra këta policë, ti i njeh më mirë duke nënkuptuar që unë jam gazetar i vjetër dhe i njoh e më njohin me emra. Një reagim fëminor dhe jo korrekt. Me këtë bisedë jam ndarë me drejtorin.
Duke parë gjithë këtë skenar zvarritje të cështjes ku faktet janë të gjalla e të pastra duke parë edhe që këta po mundohen të më nxjerrin mua fajtor në këtë mes, unë sot po ju drejtohem juve si portal i lexuar në shkallë vendi e jo vetëm, të gjithë medias shqiptare që rasti të bëhet publik me të vetmen arsye që të zbulohet skandali i një polici surrogato që shfrytëzon kapelen e policisë dhe nxjerr ndoshta dhe mllefe personale. Sot kam bërë konferencë shtypi me të gjithë përfaqësuesit e medias për t’iu drejtuar opinionit publik për të sensibilizuar organet të hetojnë me seriozitet këtë rast dhe në fund të ndëshkohet si unë dhe polici. Këtë kërkoj, kush ka faj të ndëshkohet, qofsha dhe në këtë rast”, përfundon rrëfimin e tij për newsbomb.al gazetari.
Marrë nga Newsbomb.al