Kryedemokrati Lulzim Basha, në kuadër të 29-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, ka bërë një urim special, ku ndër të tjera ka publikuar edhe një foto të themeluesve të saj.
“Liri – Demokraci! 29 vjet më parë këto 2 fjalë ishin oksigjeni që rikthyen në jetë një komb, i cili ra në errësirën e diktaturës më të egër komuniste për gati 5 dekada. Liri – Demokraci është guri i themelit që ngriti në këmbë shtëpinë e demokratëve, shtëpinë e shqiptarëve që e donin Shqipërinë si gjithë Europa”, shkruan Basha.
Më pas ai shton se në këto 29 vjet, Partia Demokratike ia ka dalë të jetë partia e shpresës dhe se kjo është arritja më e madhe, pasi shqiptarët i kanë sytë nga ata për të finalizuar misionin për të cilën u themelua, si garante e lirisë, demokracisë dhe e mirëqenies së shqiptarëve.
POSTIMI I PLOTE I KRYETARIT TE PD LULZIM BASHA
Liri – Demokraci! 29 vjet më parë këto 2 fjalë ishin oksigjeni që rikthyen në jetë një komb, i cili ra në errësirën e diktaturës më të egër komuniste për gati 5 dekada. Liri – Demokraci është guri i themelit që ngriti në këmbë shtëpinë e demokratëve, shtëpinë e shqiptarëve që e donin Shqipërinë si gjithë Europa.
Për 29 vite, Partia Demokratike ia ka dalë të jetë partia e shpresës. Kjo është arritja jonë më e madhe në këto 29 vjet. Sot shqiptarët i kanë sytë nga ne për të finalizuar misionin për të cilin u themelua Partia Demokratike si garante e lirisë, e demokracisë dhe e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.
Shqiptarët meritojnë të votojnë të lirë për qeverisjen e tyre, ata meritojnë një qeveri që punon për mirëqenien e tyre, që respekton fjalën e lirë dhe të drejtën e pronës, një qeveri që bën më të mirën për të siguruar të ardhmen e qytetarëve të saj! Fëmijët tanë meritojnë të rriten si shqiptarë europianë në Shqipërinë tonë të bukur, Shqipërinë si gjithë Europa! Dhe së bashku do ta bëjmë realitet!
Gëzuar 29 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!