Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vizituar dje disa sipërmarrje në Durrës. Në një reagim në Facebook, Basha ka publikuar foto nga takimet, po ashtu dhe një plan me pesë pika se si mund të dilet nga situata e rëndë pas tërmetit.
Në reagimin e tij, Basha thotë se për këto biznese duhet bërë një përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.
REAGIMI I PLOTË
Sot inspektova disa prej sipërmarrjeve në Durrës, ndërsa pasditen e djeshme u takova me përfaqësues të Asamblesë së Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Durrësit. Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Ndërprerja dhe reduktimi i aktivitetit ekonomik, dëmet në struktura, makineri dhe inventar, fatura financiare, pezullimi i punës nga një numër jo i vogël të punësuarish banesat e të cilëve janë shkatërruar apo dëmtuar rëndë; këto janë problemet kryesore me të cilat po ballafaqohet sipërmarrja.
Ndërkohë duhen paguar taksa, tarifa dhe fatura, kontratat me palët e treta, jashtë dhe brenda vendit mbartin detyrime kohore dhe financiare, sikundër bizneset përballen me pagesat e kësteve të kredive bankare. Sipërmarrësit nuk kanë ndërprerë pagat për të goditurit nga tërmeti edhe kur këta të fundit nuk kanë mundur të vijnë në punë prej 10 ditësh, shumë prej sipërmarrësve po kontribuojnë për riparimin e dëmeve në banesat e punëtorëve të tyre si dhe po ndihmojnë me sa munden në forma dhe mënyra të tjera. Njësitë e hoteleri-turizmit po përballen me rënie dramatike konsumi dhe i tremben rënies apo anulimit të prenotimeve.