Tërmeti i fuqishëm 6.4 ballë i 26 nëntorit ka dëmtuar edhe godinën e Gjykatës së Apelit në Durrës.
Tashme i gjithë stafi është zhvendosur në Kavajë.
KLGJ ka njoftuar se puna do të vijojë në Kavajë deri në përfundim të rikonstruksionit të plotoë të kësaj godine.
VENDIMI
PËR RIFILLIMIN E VEPRIMTARISË DHE SHËRBIMEVE GJYQËSORE TË GJYKATËS SË APELIT DURRËS DHE TRANSFERIMIN E PËRKOHSHËM TË SELISË SË SAJ PRANË GODINËS KU USHTRON VEPRIMTARINË GJYKATA E RRETHIT GJYQËSOR KAVAJË.
Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në nenet, 147/1, 147/a, pika 1 germa “d” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 61 të Ligjit nr.115/2019 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, në Ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, në Ligjin nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 750, datë 27.11.2019 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës dhe Tiranë”, të ndryshuar, në Vendimin nr. 267, datë 02.12.2019 të Këshillit, “Për pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në gjykatat e qarqeve Durrës, Tiranë dhe Lezhë”, si dhe në kushtet kur godina e Gjykatës së Apelit Durrës është e papërshtatshme për ushtrimin e veprimtarisë së saj,
V E N D O S I :
Rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore të Gjykatës së Apelit Durrës.
Transferimin e përkohshëm të selisë së Gjykatës së Apelit Durrës pranë godinës ku ushtron veprimtarinë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Kryetari i Gjykatës së Apelit Durrës dhe kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë të marrin masa për krijimin e kushteve të duhura në zbatim të pikës 2 të këtij vendimi.
Kryetarët e gjykatave nën juridiksionin e Gjykatës së Apelit Durrës, në zbatim të pikës 2 të këtij vendimi të dërgojnë dosjet gjyqësore në selinë e re të përkohshme të Gjykatës së Apelit Durrës, si dhe të marrin masa për të garantuar aksesin në gjykatë duke informuar publikun për transferimin e përkohshëm të selisë së Gjykatës së Apelit Durrës.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.