Kohët e fundit showbizi shqiptar është përfshirë nga një valë ndarjesh e divorcesh, kujtojmë këtu rastet më të fundit të Nora Istrefit dhe Robert Berishës, apo Mozzikut dhe Loredanës.
Duke u nisur nga këta të dy këngëtarë që i kanë dedikuar këngë ish-it pas ndarjes, po ju rendisim disa raste të tjera.
1.Le ta nisim me Mozzikun i cili vetëm pak pas ndarjes nga Loredana, publikoi këngën “Dhelpër dinake”, kushtuar ish-partneres së tij. Në tekstin e kësaj kënge Mozzik zbuloi edhe arsyen e ndarjes nga Loredana e shkak duket se kanë qenë debatet e shpeshta.
“Dhelpër dinake, e kom dit prej asaj nate. Jena lodh tu bo debate. Ti moj dhelpër dinake. S’ka ma debate, kaq e pate. Hiqmu prej qafe”, është refreni i kësaj kënge. Loredana nuk e priti aspak keq këtë epitet nga ish-partneri. Por përkundrazi në komente me miqtë e saj, reperja shkruante “Unë jam një dhelpër” dhe postoi një video duke e dëgjuar këngën e Mozzikut. Përpos faktit të trishtë që i dedikohet një ndarjeje, “Dhelpër dinake”, pati një sukses të paparë duke arritur 4 milion shikime brenda pak ditësh.
2.A e dinit që Stine këngën “Gëzuar Vitin e Ri”, ia ka kushtuar Roza Latit? Duket e çuditshme sesi një këngë me këtë titull i kushtohet ish-partneres, por këtë e ka zbuluar vetë Stine kur Roza prezantonte emisionin “Hangover”. “Këtë këngë e kam bërë sapo u ndava nga ti. Doja të të ktheja sërish”, i tha Stine Rozës.
“Kërkoj rikthimin tonë, me miratimin tënd. Nga e para t’ja fillojmë, le të jetë ky viti jonë. Edhe nëse s’do, gëzuar Vitin e Ri”, është refreni i kësaj kënge.
3.Edhe Stresi po punon për një këngë dedikuar Keisit pas ndarjes së tyre të bujshme. Dyshja i dhanë fund në korrik të këtij viti dhe gjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë shumë të komentuar në media. Pak kohë më parë Stresi deklaroi se po përpiqet ta rikthejë Keisin.
Ndërsa së fundmi në një video të publikuar në Instastory reperi shfaqej duke kënduar: “U bo një kohë që s’jena pa, nuk e di ça kam ba, ça kam ba, ça kam ba”. Stresi është ende duke punuar për këtë këngë që thuhet se i dedikohet ish-bashkëshortes.
4.Edhe lidhja e Ronelës dhe Zerkës ka qenë shumë e komentuar në media prej kohësh, mirëpo çifti ka pasur edhe kriza në marrëdhënien e tyre. Muaj më parë u tha se ata i kishin dhënë fund lidhjes dhe pas këtyre thashethemeve, Ronela publikoi këngën e saj “Pa dashni”. Fansat aluduan se kjo këngë ishte një dedikim për Zerkën pas ndarjes, por Ronela nuk u prononcua.
“Ishe më mirë se çokollata, adrenalinë me pare t’thata. Po ma ke pas me hile, se t’pata ik prej shpie, i more dy a tri pa dashni”, është refreni i kësaj kënge që pati një sukses shumë të madh.
5.Kanë kaluar 5 vite nga ndarja e një prej çifteve më të pëlqyera në showbizin shqiptar, Dafinës dhe Ledrit mirëpo historia e tyre vazhdon të komentohet. Sidomos pasi Dafina publikoi këngën “A e ma mend”, një këngë që flet për një dashuri të shkuar. Pas publikimit të kësaj kënge u tha se këngëtarja ia ka dedikuar Ledrit.
“Nuk kam dasht kurrgjo prej teje, kam dasht diçka për ty. Ndoshta diçka t’mirë për neve, po ti s’je kon aty…Krejt ça ka mbet, është një kujtim i zbehtë, është tu u tretë”, është një pjesë e tekstit të kësaj kënge.
6.Ndarja e Seldit dhe Mimoza Shkodrës ka qenë një nga ndarjet më të bujshme të vitit të kaluar, që u shoqërua me shumë lajme e komente. Mirëpo ajo që bëri përshtypje është që pak kohë pas ndarjes Mimoza publikoi një këngë me titull “Mu ma le fajin”.
Pikërisht prej natyrës së këngës, që fliste për një ndarje, u tha se Mimoza ia ka kushtuar Seldit. “Mu ma le fajin, mu ma le fajin, sa gabime në ty gjeta e prapë zemër të desha”, është refreni i kësaj kënge.
7.Pak muaj më parë edhe këngëtarja Nikka i kushtoi një këngë ish-të dashurit, me titull “Rrena”. Në fillim ishin mediat ato që e aluduan diçka të tillë për shkak të përmbajtjes së këngës, por më pas edhe vetë Nikka pranoi se kënga ka të bëjë me të kaluarën e saj.
“Çdo njeri në moshën time ka hasur patjetër mashtrimet e dashurisë, zhgënjehesh”, u shpreh Nikka . “Kur jena kon na dy bashkë, ti e zgjedhe rrenën. Po don me kon me mu prapë, sun ma ndrron tash menën”, është refreni i kësaj kënge.
8.Së fundmi edhe Roberti i ka kushtuar një këngë Nora Istrefit pas ndarjes së tyre të shumë komentuar. Këngën Roberti do e prezantojë në Festivalin e Këngës në RTSH dhe po pritet me padurim nga publiku pasi me anë të tekstit, këngëtari me siguri do na tregojë më shumë për ndarjen e tyre./Xing.al