Pasi prokuroria mbylli hetimet dhe dërgoi çështjen në gjykatë me akuzën për falsifikim parash, ka reaguar ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani.
Me një prononcim për “Fax news” Ristani u shpreh se kjo është një akuzë dashakeqe, duke mohuar të ketë firmosur apo vulosur ndonjë dokument.
Ai i ka quajtur prokurorët që kanë ngritur akuzën e falsifikimit të dokumenteve si jo të qëndrueshëm mendërisht, dhe se çështjen do ta ndjekë deri në fund.
“Kjo është një akuzë e pabazuar dhe dashakeqe, akuzohem se në deklarimin që PD ka bërë në KQZ, nuk janë pasqyruar të dhëna të vërteta, unë po them që nuk kam firmosur dhe as vulosur asnjë lloj dokumenti.
Shkuan deri aty sa thanë që është falsifikim i një mosveprimi, një vepër të tillë nuk mund ta mendojë as një person që nuk është mirë nga gjendja mendore”, është shprehur Ristani.
Hetimet për lobimin e bërë nga PD nisën pas ardhjes së dy letërporosive nga SHBA dhe Skocia, ku PD pretendohet se ka paguar 525 mijë dollarë tek kompania Stotington Strategies, ndërsa kompania Biniatta Trade 150 mijë dollar. Më 14 nëntor të 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë pagesat e bëra nga PD, të cilat nuk janë deklaruar në raportin financiar që është depozituar në KQZ në zgjedhjet e vitit 2017.