Është zbardhur i plotë vendimi i Gjykatës së Lezhës që me kërkesë të Prokurorisë liroi nga qelia Endrit Vejsiun, vëllanë e moderatores Alketa Vejsiu, i arrestua një vit më parë me 3 kg kanabis si dhe 4 mina me telekomandë në bagazhin e makinës.
Nga bashkimi i dy veprave penale që rëndojnë mbi Vejsiun, “Prodhimin dhe shitja e narkotikeve”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, organi i akuzës kërkoi dënimin me 5 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 3.4 vite heqje lirie. Po ashtu, Prokuroria e Lezhës i kërkoi Gjykatës së këtij rrethi që të pezullojë dënimin me burg për të pandehurin Endrit Vejsiun, duke e çuar në Shërbim Prove për një periudhë kohore prej 5 vitesh, dhe gjatë kësaj kohe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale, të mos përdorë armë, si dhe të mos shoqërohet me persona të dënuar.
Ndërkohë, në vendimin e Gjykatës së Lezhës, që mban datën 15 Tetor të këtij viti, vërehet se Gjykata ka dhënë një dënim më të ashpër seç ka kërkuar Prokuroria e Lezhës, duke e dënuar Vejsiun me 6 vite burg, e që me uljen e 1/3, dënimi shkon në 4 vite heqje lirie.
Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës, thuhet se duke qenë se Endrit Vejsiu ishte i padënuar më parë, Gjykata me kërkesën e Prokurorisë kërkoi pezullimin e dënimit, duke e kaluar nga burgimi në shërbimin e provës.
Skandali me drejtësinë thellohet edhe më tej, kur për këtë çështje, Prokuroria ka ndryshuar edhe një nga veprat penale.
Ndërkaq, në dosjen e Prokurorisë thuhet se “për shkak të njohjeve shoqërore që Vejsiu ka në rrethin e Lezhës me të cilët bashkëpunon në ushtrimin e aktivitetit të tij kriminal, ka kërkuar blerës për të shitur lëndën narkotike si dhe një sasi lënde plasëse të cilën do ta trafikonte nëpërmjet portit të Shëngjinit drejt shtetit Italian.