I pyetur për ngjarjen e fundit se Maqedonia e Veriut do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të dështimit të hapjes së negociatave me BE, ministri i Jashtëm Gent Cakaj përgjigjet se diskutimet për zgjedhje të parakohshme në vendin fqinj janë të hershme dhe nuk lidhen me vendimin e Këshillit Evropian.
“Diskutimi për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut është më i hershëm se dje. Nuk mund t’i ndërlidhni proceset. Ky diskutim nuk ka ardhur si pasojë e vendimit të Këshillit”, theksoi Cakaj përpara gazetarëve.
Cakaj deklaroi gjithashtu se “në Maqedoninë e Veriut ka patur zotime se ky proces (hapja e negociatave) do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme”, ndërsa Qeveria shqiptare nuk dha garanci për procesin.
Pjesë nga deklarata:
Diskutimi për zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut është më herët se dje. Zgjedhje e parakohshme në Maqedoni të Veriut nuk ka ardhur si rrjedhojë e bllokimit të negociatave. Unë thashë se Maqedonia e Veriut ka bërë një sakrificë të madhe si ndryshimi i emrit, por secili vend ka plotësuar kushtet e veta, që janë të ndryshme, ata kanë pasur emrin, ne kemi pasur procesin e vettingut.
Në Maqedoninë e Veriut ka pasur premtime se do të jepet dorëheqje, është thënë se negociatat do të hapen. Prandaj , përgjegjësia e tyre ndaj elektoratit atje është komplet ndryshe. Unë nuk di që unë apo kryeministri ka premtuar ndonjëherë se negociatat do të hapen/ Ne kemi thënë se zotohemi se do bëjmë përpjekje, por nuk jemi zotuar se do të hapen se s’bën.