Siguria kibernetike është kthyer në një prioritet për Shqipërinë, pas sulmit kibernetik të vitit 2022, ndërsa vendi po investon në forcimin e kapaciteteve institucionale, zhvillimin e legjislacionit dhe mbrojtjen e infrastrukturës digjitale. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se krahas angazhimit të institucioneve publike, një rol të rëndësishëm në këtë drejtim duhet të luajë edhe sektori privat. Gjatë Konferencës Kombëtare për Sigurinë Kibernetike “Peizazhi i kërcënimeve në ditët e sotme”, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan Eric Wendt, Ibrahimaj theksoi se sulmi i vitit 2022 shënoi një pikë kthese në qasjen e qeverisë ndaj sigurisë kibernetike. Sipas saj, që prej asaj periudhe janë rritur kapacitetet dhe financimet e Autoritetit, është miratuar legjislacioni përkatës dhe po punohet për strategjinë e zhvillimit, ndërsa janë ngritur dhe vijojnë të ngrihen CERT-e sektoriale.
Ministrja nënvizoi se siguria kibernetike nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve shtetërore, por edhe e bizneseve, të cilat përdorin gjithnjë e më shumë sistemet digjitale për pagesa, administrimin dhe ruajtjen e të dhënave. “Është detyra jonë që ta informojmë sektorin privat, i cili përdor shërbimet digjitale për të kryer pagesa dhe për të ruajtur të dhëna, se sa e rëndësishme është të investojë në parandalimin e sulmeve kibernetike, të cilat mund të shkaktojnë edhe paralizimin e biznesit të tyre në shumë fusha të ekonomisë”, u shpreh Ibrahimaj.
72 biznese në sektorin e sigurisë kibernetike
Një tjetër fokus i konferencës ishte zhvillimi i tregut vendas dhe mbështetja e sipërmarrjeve që ofrojnë zgjidhje në fushën e sigurisë kibernetike.
Sipas ministres, deri më tani janë financuar gjashtë startup-e në këtë sektor. Ndërkohë, të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se në Shqipëri operojnë 72 biznese me fokus kryesor sigurinë kibernetike, nga të cilat 28 janë regjistruar gjatë vitit të fundit. Ibrahimaj theksoi se institucionet publike mund të garantojnë standardet, të hartojnë legjislacionin dhe të monitorojnë zbatimin e tyre, por nuk mund të përmbushin të gjitha nevojat e tregut për shërbime të specializuara. Për këtë arsye, sipas saj, zhvillimi i sektorit privat është thelbësor për të përballuar kërkesën në rritje për siguri digjitale.
Siguria kibernetike në sistemin arsimor
Ministrja vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e edukimit dhe formimit profesional për krijimin e specialistëve të rinj. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, janë hartuar kurrikula që synojnë përfshirjen e sigurisë kibernetike në sistemin bazë arsimor. Ndërkohë, arsimi profesional dhe kurset e formimit afatshkurtër pritet të kontribuojnë në zgjerimin e kapaciteteve njerëzore në këtë fushë. Duke iu referuar pozicionit të Shqipërisë në rajon, Ibrahimaj vlerësoi se niveli i digjitalizimit dhe përvoja e fituar në mbrojtjen kibernetike krijojnë mundësi që vendi të shërbejë si model për shtetet e tjera.
Sipas saj, Shqipëria tashmë është një partner i besueshëm dhe një pikë e rëndësishme në zinxhirin e sigurisë kibernetike rajonale.








