Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, prezantoi në komisionin parlamentar projektbuxhetin e vitit 2027 për sektorin, duke bërë të ditur se financimi i brendshëm do të mbështesë një sërë projektesh të reja rrugore. Në fokus janë zgjerimi i Tiranë-Durrës, vijimi i aksit Kombinat-Ndroq-Plepa dhe bypass-i i Elbasanit. Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës, vijimi i aksit Kombinat-Ndroq-Plepa dhe ndërtimi i bypass-it të Elbasanit janë ndër projektet prioritare të sektorit të infrastrukturës për vitin 2027. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, bëri të ditur se financimi i brendshëm do të mbështesë një portofol të ri investimesh në rrjetin rrugor kombëtar.
“Do ndalesha te projektet e reja me financim të brendshëm për vitin 2027, ku prioritet do kenë Elbasan-Qafë Thanë, segmenti Ura e Grykshit-Peqin, fazat e reja të Tiranë-Durrës, vijimi i aksit Kombinat-Ndroq-Plepa, qendra e monitorimit të trafikut, si dhe ndërhyrjet për stabilizimin e aksit Librazhd-Qafë Thanë”, deklaroi Karakaçi. Sipas ministrit, këto investime synojnë të përmirësojnë lidhjen mes qendrave ekonomike, standardet e rrjetit rrugor dhe sigurinë në qarkullim.
Tiranë-Durrës, zgjerimi deri në Urën e Dajlanit
Një nga projektet kryesore në programin e transportit rrugor është zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës. Karakaçi bëri të ditur se buxheti afatmesëm parashikon financimin e plotë të projektit deri në fazën e dhjetë të zhvillimit, që përfundon në Urën e Dajlanit në Durrës. Ministri konfirmoi gjithashtu angazhimin e buxhetit të shtetit për vijimin e bypass-it të Elbasanit, duke ndryshuar skemën fillestare të financimit të huaj. “Për shkak edhe të shqetësimeve të krijuara në trafikun aty ku mbaron sot Tiranë-Elbasan, tashmë është angazhimi i buxhetit të shtetit për të vazhduar me fondet e brendshme buxhetore për financimin e bypass-it të Elbasanit”, tha ai.
Projektet e reja për vitin 2028
Në planifikimin për vitin 2028, Ministria e Infrastrukturës parashikon vijimin e zgjerimit të Tiranë-Durrës, fazën e tretë të rrugës lidhëse Tiranë-Elbasan me Korridorin VIII, e njohur si bypass-i i Elbasanit, si dhe projekte të tjera për përmirësimin e aksesit në kryeqytet. Në këtë portofol përfshihen hyrja verilindore e Tiranës, rruga lidhëse me Rrugën e Arbrit dhe ndërtimi i hyrjes veriore që synon të anashkalojë Kamzën, duke lidhur autostradat e veriut me Unazën e Re të Tiranës.
Bypass-i i Tiranës, financim nga buxheti dhe BERZH
Sa i përket investimeve me financim të huaj, Karakaçi bëri të ditur se do të vijojë rehabilitimi i urave, përmbyllja e segmentit Qukës-Qafë Plloçë dhe nisja e projekteve të reja. Bypass-i i Tiranës është një prej projekteve të planifikuara. Sipas ministrit, pjesa e parë, rreth 10 kilometra, financohet nga buxheti i shtetit dhe punimet kanë nisur. Për vijimin e projektit, qeveria është angazhuar me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa marrëveshja e financimit pritet të finalizohet gjatë këtij viti.








