Kryeministri Edi Rama deklaroi në Euronews Enlargement Summit se Shqipëria po punon për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian në fund të vitit 2027. Sipas tij, procesi po ecën në përputhje me planin, ndërsa vendimi për anëtarësimin do të varet nga 27 vendet anëtare.
Shqipëria synon të përmbyllë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian në fund të vitit 2027. Këtë afat e konfirmoi kryeministri Edi Rama gjatë një interviste në Euronews Enlargement Summit, në Bruksel, ku diskutoi mbi perspektivën europiane të Shqipërisë dhe sfidat e procesit të zgjerimit.
Rama tha se qeveria po punon mbi një plan të përbashkët, të mbështetur nga Komisioni Europian, ndërsa negociatat po ecin sipas parashikimeve.
“Ne po punojmë shumë fort me një plan të përbashkët, një plan i mbështetur plotësisht nga Komisioni për t’i përmbyllur negociatat në fund të 2027-s. Ndërsa flasim, gjithçka po ecën në përputhje me planin”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se përfundimi i negociatave nuk garanton automatikisht anëtarësimin, pasi procesi do të kërkojë dakordësinë e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
“Kur vjen fjala tek puna e 27-ve, kjo është më e ndërlikuar, sepse flasim për 27 ‘mjekë’ që duhet të bëhen bashkë, të mblidhen bashkë dhe të kenë të njëjtën ide për një ‘pacient’”, u shpreh Rama.
I pyetur nëse Shqipëria mund të anëtarësohet në BE në vitin 2030, pas Malit të Zi, kryeministri shmangu një parashikim të drejtpërdrejtë, duke kujtuar se në procesin europian afatet kanë ndryshuar disa herë. Ai tha se Bashkimi Europian ka pasur raste kur nuk ka përmbushur premtimet, por edhe kur ka realizuar më shumë nga sa pritej.








