Buxheti vendor për vitin 2027 parashikohet në 114.6 miliardë lekë, me një rritje prej 2.4% krahasuar me nivelin e pritshëm të vitit 2026. Sipas projektbuxhetit, mbështetja financiare për bashkitë do të vijojë të rritet, kryesisht përmes transfertave nga buxheti i shtetit, ndërsa synohet forcimi i autonomisë fiskale dhe përmirësimi i shërbimeve publike në nivel vendor.
Transferta e pakushtëzuar për pushtetin vendor parashikohet në 29.3 miliardë lekë, ose 1.4 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Rritja mesatare e kësaj transferte për bashkitë do të jetë rreth 5%, ndërsa për qarqet rreth 4%. Ndërkohë, të ardhurat e veta të pushtetit vendor pritet të arrijnë në 58.6 miliardë lekë, me një rritje prej 712 milionë lekësh ose 1.2% krahasuar me vitin 2026. Në fokus mbetet edhe reforma e taksës mbi pasurinë, nga e cila parashikohet të arkëtohen 10.6 miliardë lekë, rreth 600 milionë lekë më shumë se një vit më parë.
Për funksionet e transferuara te pushteti vendor është parashikuar një transfertë e pakushtëzuar sektoriale prej 15.4 miliardë lekësh, me rritje 2%. Gjithashtu, për rritjen e pagave në administratën vendore është parashikuar një fond shtesë prej 4.5 miliardë lekësh, për të mbuluar efektin e rritjes së kufirit minimal të pagave dhe pagës minimale.
Projektbuxheti parashikon edhe 200 milionë lekë për grantin e performancës së bashkive, si dhe 200 milionë lekë shtesë për shpenzimet operative të funksioneve të transferuara. Nga ky fond, 100 milionë lekë do të shkojnë për arsimin parashkollor dhe 100 milionë lekë për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin, ku do të përfitojnë 17 bashki, me një shtesë prej 83 punonjësish. Të ardhurat e bashkive nga taksat e ndara parashikohen në 1.8 miliardë lekë, duke përfshirë tatimin mbi të ardhurat personale dhe taksën e rentës minerare. Ndërsa financimi i huaj për njësitë e vetëqeverisjes vendore do të jetë 1.5 miliardë lekë, për mbështetjen e projekteve të investimeve dhe përmirësimin e infrastrukturës vendore.








