Godina e re e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit pranë Universitetit Politeknik të Tiranës do të financohet me 282.3 milionë lekë gjatë vitit 2027. Projekti, me një vlerë totale prej rreth 881.9 milionë lekësh, parashikohet të përfundojë vitin e ardhshëm, sipas relacionit të projektbuxhetit 2027.
Ky është një nga investimet e planifikuara në infrastrukturën e arsimit të lartë, ku përfshihen gjithashtu projekte për ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinave universitare.
Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës i janë parashikuar 150 milionë lekë për hartimin e projektzbatimit të kampusit universitar. Ndërkohë, 57.5 milionë lekë do të përdoren për rikonstruksionin e godinave A dhe C të Institutit të Fizikës Bërthamore, ndërsa 56.6 milionë lekë për Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave dhe ndërtimin e Muzeut të Gjeologjisë. Për zhvillimin e infrastrukturës në arsimin e lartë parashikohet edhe një fond prej 433.6 milionë lekësh.
Një tjetër investim i rëndësishëm lidhet me rehabilitimin energjetik të konvikteve të universiteteve publike, për të cilin janë parashikuar mbi 632 milionë lekë. Financimi përbëhet nga rreth 346.2 milionë lekë kredi dhe 286.1 milionë lekë grant nga banka gjermane KfW. Projekti synon përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve dhe uljen e konsumit të energjisë.
Për kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin universitar, përfshirë programet Erasmus+ dhe Tempus, parashikohen gjithashtu 300 milionë lekë financim nga Bashkimi Evropian.
Në arsimin parauniversitar, mbi 708 milionë lekë do të shkojnë për ndërtime dhe rikonstruksione në shkollat e arsimit bazë dhe të mesëm. Nga kjo shumë, 400.1 milionë lekë janë parashikuar për arsimin bazë, përfshirë parashkollorin, dhe 308.2 milionë lekë për arsimin e mesëm. Një projekt i ri parashikon edhe 190 milionë lekë për mobilimin e klasave SMARTLAB në arsimin bazë. Ndërsa në arsimin profesional, shkolla industriale “Pavarësia” në Vlorë do të përfitojë 158 milionë lekë për rikonstruksionin e godinës dhe reparteve të praktikave. Për ndërtimin e ri të shkollës “Karl Gega” në Tiranë dhe ndërhyrjet në Shkollën Teknike të Korçës janë parashikuar nga rreth 87.3 milionë lekë.
Mbështetja për arsimin profesional do të vijojë edhe përmes projekteve “Proseed” dhe “Skills for Job”, me një financim prej 434.7 milionë lekësh për vitin 2027, nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.








