StartupBlink ka vlerësuar Shqipërinë me çmimin për ekosistemin e startupeve me rritjen më të shpejtë në rajonin e Adriatikut, në kuadër të Çmimeve të Ekosistemeve të Startupeve 2026. Çmimi u pranua në emër të ekosistemit shqiptar nga Startup Albania, gjatë ceremonisë së zhvilluar më 23 shtator në Tashkent të Uzbekistanit, në kuadër të javës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Sipas Indeksit Global të Ekosistemeve të Startupeve 2026 të publikuar nga StartupBlink, ekosistemi shqiptar i startupeve ka shënuar një rritje prej 71.14%, duke u renditur i katërti në Europë për ritmin e zhvillimit dhe në vendin e parë mes vendeve të Adriatikut të përfshira në renditje.
Renditja e StartupBlink bazohet në të dhënat dhe analizat e Global Startup Ecosystem Index, i cili vlerëson zhvillimin, performancën dhe dinamikën e ekosistemeve të startupeve në nivel global.
Vlerësimi i Shqipërisë vjen në një periudhë kur inovacioni dhe sipërmarrja po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Rritja e ekosistemit reflekton zhvillimet e viteve të fundit dhe potencialin e vendit për të konsoliduar më tej pozicionin e tij në rajon.
Ky vlerësim pritet të ndikojë edhe në rritjen e vizibilitetit ndërkombëtar të startupeve shqiptare, duke krijuar mundësi të reja për lidhje me investitorë, partnerë dhe ekosisteme të tjera ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, Shqipëria synon të forcojë më tej profilin e saj si një treg në zhvillim për teknologjinë, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Adriatikut.








