Emigrantët shqiptarë që punpjnë dhe jetojnë jashtë vendit kanë rritur nivelin e të ardhurave që kanë dërguar pranë familjeve në atdhe. Për Bankën e Shqipërisë ky tendencë nuk tregon vetëm për lidhjet e forta me atdheun, por ka qenë e nxitur edhe nga hyrja e vendit në systemin SEPA, që ka reduktuar ndjeshëm kostot e transfertave.
Sipas Analizës së Bilancit të Pagesave, në tremujorin e dytë të këtij viti, rëmitancat arritën në 274.3 milionë euro. Norma vjetore e rritjes së remitancave u ngadalësua lehtë në 9.4%, nga 10.8% në tremujorin paraardhës, megjithatë qëndron mbi normën mesatare 7.0% të vitit 2025.
Në raport me PBB-në, remitancat u rritën lehtësisht në 4.3%, nga 4.2% në tremujorin e parë të vitit 2025, duke vijuar të mbështesin rritjen e të ardhurave të disponueshme të familjeve dhe konsumin privat në vend.
“Normat vjetore të rritjes së remitancave janë përshpejtuar që prej tremujorit të katërt të vitit 2025, periudhë kjo që përkon me fillimin e operimit të sistemit “SEPA” në Shqipëri. Ky zhvillim sugjeron se reduktimi i kostove dhe rritja e eficiencës së transfertave ndërkufitare në Euro mund të kenë kontribuuar në rritjen e flukseve hyrëse të remitancave”, theksohet në analizën e Bankës së Shqipërisë.

Që prej tetorit të vitit të kaluar, kur Shqipëria hyri në SEPA, pagesat hyrëse nga emigrantët (remitanca) kushtojnë maksimumi 3 euro. Ulja e ndjeshme e kostove ka bërë që shumë emigrantë të zgjedhin rrugën zyrtare dhe tranfertat bankare për të dërguar paratë pranë të afërmve dhe jo më dërgimin e parave cash.
Cfarë është SEPA?
Zona Unike e Pagesave në Euro (SEPA) është një shtrirje gjeografike prej 41 shtetesh, një ndër të cilat edhe Shqipëria.
Të gjitha vendet anëtare të SEPA-s janë të detyruara të kryejnë dhe pranojnë pagesa në monedhën Euro për të gjithë, individë, biznese dhe institucione, brenda dhe midis vendeve anëtare të SEPA-s, me të njëjtat kushte, rregulla dhe procedura si për pagesat kombëtare në Euro.
Nën drejtimin e Bankës së Shqipërisë dhe mbështetjen e Bankës Botërore, Shqipëria u anëtarësua në SEPA në vitin 2024, pas një procesi të gjerë harmonizimi rregullator, përditësimi të infrastrukturës, testimesh teknike dhe vendimmarrjes për uljen e komisioneve bankare për pagesat në Euro.
Prej 7 tetorit 2025, një transfertë elektronike në Euro nga Tirana në Bruksel përpunohet dhe kushton njësoj si një pagesë në Euro nga Tirana në Korçë.







